Lajme

Kur komandant Thaçi fjalosej me EULEX-in për mbrojtjen e shqiptarëve në Mitrovicë

By FerizajPress

September 29, 2016

Drejtori i Policisë së Kosovës në Rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi, është arrestuar mbrëmë në pikën kufitare Dheu i Bardhë, nga policia e Serbisë. Sipas një njoftimi nga policia serbe, Thaçi është arrestuar për akuza të terrorizmit, transmeton lajmi.net

Por kush është Nehat Thaçi. Ai njihet si njeriu që nga pozita që mban në Policinë e Kosovë, ka ndikim të madh te qytetarët, veçanërisht në raste të protestave. Thaçi në një protestë të vitit 2012 pranë urës së Ibrit, kishte arritur të parandalojë eskalimin e situatës, duke ndërhyrë ndërmjet Policisë së EULEX-it dhe qytetarëve.

“Kush ju ka thirrë juve EULEX-in me ardhë këtu”, kanë qenë fjalët e para që Thaçi ia kishte drejtuar komandantit të forcave të misionit evropian.

Policët e EULEX-it, kishin ardhur mbi urën e Ibrit pasi kishin dëgjuar se aty po zhvillohet një protestë.

“Pse keni ardhur këtu, a po e shihni se jeni duke e tensionuar situatën me gjithë këto alarmime. Për shkak tuajin janë mbledhur këtu këta njerëz kureshtarë”, ka shtuar Thaçi.

“Jemi ardhur sepse ka protestë”, i ishte përgjigjur komandanti i EULEX-it, derisa Thaçi kërkonte nga ai të dinte se çfarë informacioni ka apo kush i ka thënë se këtu do të ketë protestë.

“Nuk ka protesta dhe ju lutemi shkoni, nëse ne kemi nevojë do t’ju thërrasim”, i ka thënë Thaçi atij.

Vendosja e forcave policore të EULEX-it me autoblinda ka zgjuar kureshtjen e njerëzve të rëndomtë që kishin dalë për të pirë kafe apo për të kryer punët e përditshme. Pas kësaj, në afërsi të urës mbi lumin Ibër janë mbledhur rreth 100 veta, të cilët kanë diskutuar me Policinë e Kosovës.

.