Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti dy ditë para se të skadojë afati i mandatarit Nikolla Gruevski për të formuar qeverinë, ka intensifikuar takimet me kryesinë e ngushtë të partisë, ku duhet të merret vendim se a do të hyjë kjo parti në qeverinë e re. Jozyrtarisht mësohet se jo të gjithë anëtarët e kryesisë mbështesin hyrjen në qeveri me VMRO-DPMNE-në. Kryetari i komunës së Kërçovës nga rradhët e BDI-së Fatmir Dehari, gjatë një takimi me ambasadorin e BE-së Samuel Zhbogar, ka thënë se do të preferonte që kreu i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski të mos ishte partner, por kundërshtar sepse sipas tij, retorika e Gruevskit nxit motive nacionaliste. Sipas Deharit partitë politike që negociojnë për formimin e qeverisë nuk duhet të kenë primare interesat personale ose të grupacioneve politike por interesat e përgjithshme të qytetarëve.
“Me rëndësi është bashkëpunimi i të gjithëve, nëse u qasemi problemeve nga këndvështrimi i qytetarit, atëherë kjo do të na motivojë të gjithëve për të bashkëpunuar që qytetarët tanë t’i shohim në një jetë më të mirë. Për mendimin tim, për këtë shtet,është më se e nevojshme funksionimi i një organi hetues të pavarur dhe organeve gjyqësore të pavarura”, thotë Fatmir Dehari.
Ambasadori i BE-së Samuel Zhbogar përsëriti qëndrimin e ndërkombëtarëve se vendit i duhet një qeveri që do të angazhohej në zbatimin e reformave urgjente. “E rëndësishme është që të fitojmë një qeveri që do të angazhohet seriozisht, sinqerisht dhe tërësisht në zbatimin e reformave urgjente prioritare e që janë të përmendura në raportin e KE-së. Ne besojmë se axhenda evropiane mund të bashkojë të gjitha partitë, jo patjetër Qeverinë, por të gjitha partitë që ta mbështesin atë, të mbështesin reformat kur të arrijnë në parlament”,ka thënë ambasadori i BE-së, Samuel Zhbogar.
LSDM në pritje të mandatit
LSDM opozitare pret që mandatarit Gruevski t’i skadojë afati për formimin e qeverisë dhe mandati t’i dorëzohet partisë së dytë fituese. Sipas nënkryetarit të LSDM-së, Damjan Mançevskit, deklarata e përbashkët e partive shqiptare është pjesërisht kompatibile me platformën e LSDM-së dhe pjesërisht jo, por për këtë do të deklarohen pasi të marrin mandatin.
“Ne e presim mandatin për formimin e qeverisë. Me të vërtetë vlerësojmë se në Maqedoni është koha për zbatimin e një koncepti të ri për jetë më të mirë të qytetarëve. Nuk bëhet fjalë vetëm për këtë platformë të tri partive shqiptare, edhe ne kemi platformën tonë, të cilën do ta prezantojmë para opinionit. Deklarata e partive shqiptare është kompatibile në një pjesë dhe në një pjesë jo”, ka deklaruar nënkryetari i LSDM-së, Damjan Mançeski.
VMRO-DPMNE, përmes një kumtese më shkrim, ka njoftuar opinionin se sa e dëmshme është LSDM-ja kur është në pushtet. “Gjithmonë kur LSDM do ta rrëmbejë pushtetin ose ndonjë funksion, ajo do të thotë shkatërrim të institucioneve dhe destruksion të shtetit. Kontrabanda, korrupsioni dhe pasurimi i oligarkëve të LSDM-së, është karakteristik e LSDM-së kur ajo është në pushtet, për këtë është dëshmitar çdo qytetar i Maqedonisë, këtë tani e ka në pah edhe opinioni ndërkombëtar”,- thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së.
Hyrja e partisë shqiptare në qeveri me kushte
Kryetari i Lëvizjes “Besa” Bilall Kasami, ka thënë se kjo parti në vazhdimësi është angazhuar për daljen e vendit nga kriza politike dhe kthimin në agjendën e integrimeve euroatlantike, ndërsa Platforma “Ridefinimi” për këtë është një zgjidhje ideale politike.
Nga LR-PDSH rikujtojnë BDI-në se pjesëmarrja “pa kushte” në qeveri është praktikë e dëmshme dhe i takon të kaluarës politike jo të lavdishme të shqiptarëve të Maqedonisë. “I rekomandojmë BDI-së të ketë parasysh interesat kolektive të shqiptarëve duke mos lëvizur aspak prej kushteve, të cilat u dakorduan në tryezën e përbashkët të partive politike shqiptare. Nuk mund të ketë perspektivë euroatlantike vendi pa vazhdimin e mandatit të Prokurorisë Publike Speciale pa barazinë e plotë dhe frymimin binacional të shtetit, pa sundimin e së drejtës, pa implementimin e raportit të Pribesë, pa zbardhjen e rasteve të montuara politike dhe vënien përpara përgjegjësisë të personave që inskenuan ato”, thuhet në komunikatën e partisë.
Ç’ndodh nëse dështon formimi i qeverisë?
Ekspertët vlerësojnë se nëse mandatari Gruevski dështon të formojë qeverinë, presidenti Gjorge Ivanov obligohet që mandatin për Qeverina t’ia dorëzojë liderit të LSDM-së Zoran Zaev. Profesori universitar Temellko Risteski thotë se një gjë e tillë rregullohet me Kushtetutë. “Shumica e qytetarëve të Maqedonisë votuan për ndryshime dhe ata janë kundër dhënies së mandatit për VMRO-DPMNE-në dhe koalicionit të saj. Nëse Gruevski nuk arrin të formoj Qeveri, atëherë qeverinë duhet ta formojë lideri i opozitës Zoran Zaev”, është shprehur Risteski.
Analisti politik Milaim Fetai thotë se përgjegjësia më e madhe bie mbi BDI-në, sepse kjo është faktor kyç për formimin e qeverisë, ose shkurt thënë për fatin e Maqedonisë. “Situata afrohet afër finalizimit të pjesës së parë asaj që shumë pritet se çfarë do të ndodhë më 29 janar, atëher kur skadon afati ligjor për përcaktimin e qeverisë së re ose kthimi i mandatit të kryetari i shtetit. Mendoj se përgjegjësia e hatashme e paparë deri më tani është në BDI-në e Ali Ahmetit. Elementi pozitiv që na jep shpresë është se ne shqiptarët jemi faktorë për qeverinë e ardhshme”, thotë Fetai. Sipas tij faktori ndërkombëtar nuk interesohet aq shumë gjatë negociatave për formimin e qeverisë si për arritjen e marrëveshjeve në Përzhino. Gruevskit i mbeten edhe dy ditë deri në formimin e shumicës. Në rast të dështimit të formimit të Qeverisë, fjalën më pas e ka presidenti i shtetit Gjorge Ivanov për të emëruar mandatarin tjetër./DW