Ferizaj

Kryetari Veseli takoi udhëheqësit e ish-punëtorëve të Fabrikës së Gypave në Ferizaj

By FerizajPress

June 01, 2016

Kryekuvendari Kadri Veseli takoi sot udhëheqësit e ish-punëtorëve të Fabrikës së Gypave në Ferizaj.

Ai u informua në mënyrë të detajuar për tërë procedurat e deritashme të Fabrikës së Gypave, deri në vendimet e Agjencisë Kosovare të Privatizimit që prek 912 punëtorët e kësaj fabrike, njofton Klan Kosova.

Ish punëtorëve të kësaj fabrike i printe Ali Shabani, i cili para Veselit prezantoi tërë dokumentacionin duke filluar nga vendimi i Gjykatës në Ferizaj, më 2001, propozimin e përmbarimit të këtij vendimi, Aktvendimin e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, Aktvendimin e Dhomës së posaçme të Gjykatës Supreme, deri në Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010, sqarimet e kësaj gjykate si dhe vendimin për mos përmbarimin e këtij vendimi të Gjykatës kushtetuese.

Veseli e theksoi rëndësinë e vendimit të Kuvendit të Kosovës, të ligjislaturës së IV, i datës 19 mars 2014 dedikuar Fabrikës së Gypave, duke theksuar se nuk mund të merret me komentimin e kësaj çështjeje kur tashmë një vendim i Kuvendit veçse ekziston.

Kryeparlamentari gjithashtu tha që vendimet e gjyqit nuk duhet të ishin temë e rivlerësimit dhe theksoi se do të angazhohet në zgjidhjen e kësaj çështjeje.