I pari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, me bashkëpunëtoret e tij, gjatë ditës së sotme ka pritur në një takim zyrtarë ambasadorin e Francës në Kosovë, Didier Chabert. Menjëherë pas këtij takimi në konferencën për gazetarë, kryetari Svarqa, është shprehur se janë diskutuar çështje të ndryshme, por gjithashtu ambasadori i Francës në Kosovës është njoftuar edhe për të gjitha zhvillimet e komunës së Ferizajt. Në këtë takim u diskutua edhe për mundësinë e bashkëpunimit mes komunës së Ferizajt, përmes Asociacionit të Komunave të Francës që ndërlidhën me mundësinë e studimit të studentëve ferizajas në Universitete e Francës. “Natyrisht se ky është një interes i përgjithshëm për qytetarët e komunës së Ferizajt, para procesit të integrimit të Kosovës në mënyrë që edhe të rinjët tanë të kenë mundësinë e lëvizjes së lirisë, dhe të integrimit jo vetëm fizik, por edhe integrimit të të arriturat shkencore, sidomos në ato që mund të jenë teje të rëndësishme për përmirësimin dhe avancimin e cilësisë së shërbimeve në shëndetësi, në arsim, në turizëm e fusha të tjera”, ka thënë kryetari Svarqa, duke falënderuar ambasadorin për vizitën e bërë në qytetin e Ferizajt. E nga ana tjetër, ambasadori i Francës në Kosovës Didier Chabert, është shprehur tejet i impresionuar me zhvillimet që po ndodhin në qytetin e Ferizajt, theks të veçante i ka kushtuar zhvillimit ekonomik, por edhe realizmit të projekteve të shumta infrastrukturore. Ai ka falënderuar kryetarin Svarqa për pritjen e bërë duke theksuar se bashkëpunimi me Komunën e Ferizajt, do të vazhdojë. “Ka qenë një rast i mirë për të parë mundësitë e bashkëpunimit në fusha të ndryshme në mes Ferizajt dhe Francës në shumë lëmi, duke përfshirë edhe edukimin, por edhe lëmitë të tjera të zhvillimit ekonomik të Ferizajt. Ne të dy u pajtuam se ka mjaft gjëra për të bërë dhe do të shohim së bashku se çka mund të konkretizojmë në kuadër të këtij bashkëpunimi”, tha Chabert. Në fund të këtij takimi kryetari Svarqa, ambasadorit të Francës Didier Chabert, ja dhuroi edhe një dhuratë modeste.