Rreth orës 17 e 30, janë konfirmuar dy rastet e para me koronavirus në Kosovë. Sipas Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitisë, bëhet fjalë për një vajzë të moshës 20 vjeçare, shtetase e Italisë dhe një burrë të moshës 77-vjeçare, nga Komuna e Vitisë, raporton Express.
Gazeta Express ka kontakuar me Kryetarin e Komunës së Vitisë, Sokol Halitin, për të marrë informacione lidhur me masat që do të ndërmarrin, meqenëse një nga të prekurit është nga kjo komunë.
Haliti ka thënë se janë duke punuar që të identifikojnë familjen e 77-vjeçarit, banorët e fshatit Stubëll dhe pacientët që kanë qenë duke u trajtuar në Emergjencën e Vitisë, gjatë kohës sa ai ka qenë atje.
“Jemi në kontakt dhe duke i marr masat. Personelin mjekësor e kemi pas gjithë ditën në karantinë, por edhe tash duhmi edhe pacientët që kanë qenë në atë kohë dhe familjen e tij me i identifiku.. Jemi duke kontaktu me fshatin Stubëll, se ata kanë ardhë prej Italisë natën”, ka thënë Haliti për Express.
Pas konfirmimit të këtyre dy rasteve, është deklaruar edhe Drejtoresha e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Vjollca Kadolli, e cila mëngjesin e sotëm i ka urdhëruar stafin mjekësor që e kanë trajtuar 77-vjeçarin dhe që kanë pasur kontakt me ambientin ku ai ka qëndruar, që të mos dalin nga objekti i QKMF’së.
Në një prononcim për Gazetën Express, Kadolli ka thënë se ajo bashkë me stafin janë duke qëndruar që nga mëngjesi në këtë objekt, derisa ka shtuar se masat e tjera pritet të merren nga komuna. Sipas saj, gjendja e stafit shëndetësor është e mirë