Ferizaj

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu ndau mirënjohje dhe falënderim për Gjeneralin e FSK-së, Enver Cikaqi

By FerizajPress

March 09, 2018

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, paraditen e sotme ka pritur në një takim Gjeneralin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjeneral Brigade Enver Cikaqi, shoqëruar edhe nga drejtues të Kazermës së FSK-së në Ferizaj. Në këtë takim që për qëllim pati shprehjen e mirënjohjes së Komunës së Ferizajt, gjegjësisht kryetarit Aliu për punën dhe angazhimin si dhe urimin për ngritjen në detyrë të gjeneralit Cikaqi , ndër të tjera u nda edhe një mirënjohje dhe dhuratë.

Ndër të tjera, kryetari Aliu u shpreh “I jemi falënderues punës, angazhimit dhe bashkëpunimit me Forcën e Sigurisë së Kosovës, përkatësisht bashkëpunimit me gjeneralin Cikaqi. Sot, këtu në emër të qytetarëve të Komunës së Ferizajt i ndaj mirënjohje dhe një falënderim Gjeneralit Cikaqi, për të gjithë angazhimet e përbashkëta dhe bashkëpunimin mes nesh, për punët dhe përkushtimin e tij në adresimin e çështjeve të përbashkëta si dhe ndihmën e ofruar në aktivitetet të shumta. Zyrat e Forcës së Sigurisë të Kosovës në Ferizaj, kanë qenë zyre edhe të qytetarëve ferizajas, bashkëpunimit tonë si institucion komunal dhe adresimit të çështjeve mes nesh. Për këtë edhe ne si ekzekutiv komunal por edhe qytetarët ferizajas i janë mirënjohës Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Gjeneralit Cikaqi. Këtë mirënjohje po e ndajmë me rastin e ngritjes në detyrë të gjeneralit Cikaqi dhe urojmë dhe shpresojmë që bashkëpunimi mes nesh të vazhdoj në plane afatgjata” – theksoi kryetari Aliu.

Në anën tjetër, Gjeneral Brigade i FSK-së, Enver Cikaqi, i emocionuar për pritjen, respektin dhe mirënjohjen nga Kryetari Aliu dhe ekzekutivi komunal u shpreh “Padyshim që secili prej nesh kudo që shërben edhe në ushtri siç jemi ne, nuk na lejohet të jemi shumë emocional, dëshiroj që të falënderoj shumë për këtë takim, për këtë pritje, që do të lë një vend shumë të veçantë edhe në detyrën time. Unë do ta vazhdoj punën në Prishtinë, shkoj nga këtu me një përshtypje të jashtëzakonshme për Komunën e Ferizajt, për qytetarët. Falënderoj të gjithë qytetarët, të gjithë ata që kanë pasur mundësinë të kenë kontakte në këto 9 vite shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës këtu në Ferizaj dhe që kanë pasur mundësinë, kurajën dhe vullnetin të na ndihmojnë dhe të na përkrahin. FSK është duke evoluar, ndryshimet të cilat janë duke u bërë janë në të mirën e FSK-së dhe në të mirën e vendit, ngase shumë shpejt do të kemi edhe vendimin për transformim nga Forca e Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës. Ju siguroj se do ta vazhdojmë bashkëpunimin dhe në të ardhmen do të fuqizohet ky raport bashkëpunimi. Mezi pres që ju ta vazhdoni këtë bashkëpunim me gjeneral Irfete Spahiu, mbështetjen do ta ketë edhe kazerma në Ferizaj. Ju falënderoj edhe njëherë për të gjitha çfarë keni bërë dhe për këtë atmosferë shumë të veçantë që më keni krijuar, na priftë e mbara ” – u shpreh me këtë rast Gjeneral Brigade Enver Cikaqi.

U bë e ditur se Komandën e Kazermës së Doktrinës dhe Stërvitjes në Ferizaj do ta drejtoj, Gjeneral Irfete Spahiu.