Ferizaj, 6 qershor 2025 – Me rastin e festës së shenjtë të Kurban Bajramit, kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, i shoqëruar nga drejtues të drejtorive komunale dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, Elmi Reçica dhe Rashit Çalaj, zhvilloi një vizitë zyrtare në ambientet e Këshillit të Bashkësisë Islame në Ferizaj.
Në këtë takim miqësor e simbolik, u përcollën mesazhe urimi, solidariteti dhe bashkëpunimi ndërinstitucional. Kryetari Aliu, në fjalën e tij drejtuar përfaqësuesve të Bashkësisë Islame, uroi të gjithë besimtarët myslimanë për Kurban Bajramin, duke theksuar rëndësinë që kjo festë ka për forcimin e vlerave të solidaritetit, mëshirës dhe përkushtimit ndaj njëri-tjetrit.
“Kurban Bajrami është një moment i veçantë reflektimi dhe afërsie me Zotin dhe me njëri-tjetrin. Është edhe një mundësi që t’i qëndrojmë afër atyre që kanë më së shumti nevojë për ndihmën dhe përkrahjen tonë,” theksoi kryetari Aliu.
Edhe deputetët Elmi Reçica dhe Çalaj shprehën mirënjohjen e tyre për punën dhe rolin që luan Bashkësia Islame në promovimin e vlerave fetare dhe shoqërore në Ferizaj. Ata theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shtetërore dhe atyre fetare për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe më të bashkuar.
Nga ana e tij, Nexhmedin Ef. Bajrami, kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Ferizaj falënderoi delegacionin komunal dhe deputetët për vizitën, duke vlerësuar lart këtë gjest si një dëshmi e respektit dhe e bashkëpunimit të ndërsjellë.
Kjo vizitë tradicionale tashmë është shndërruar në një praktikë të mirë që përçon mesazhe uniteti dhe respekti të ndërsjellë ndërmjet institucioneve publike dhe komunitetit fetar, veçanërisht në ditët e shenjta siç është Kurban Bajrami.
Edhe kyesues të partive tjera politike që veprojnë në Ferizaj vizituan Këshillin e Bashkësisë Islame për të uruar Festën e Kur an Bajramit.
“Së bashku me një pjesë të kryesisë së LDK-së në Ferizaj, vizituam Këshillin e Bashkësisë Islame në Ferizaj me rastin e festës së Kurban Bajramit, ku u pritëm nga kryetari i BIK-ut në komunën tonë, Nexhmedin Ef. Bajrami dhe struktura e BIK në Ferizaj.
Në këtë ditë që na bashkon dhe na ngroh zemrat, uroj e lutem për shëndet dhe harmoni në çdo familje, si dhe forcë e unitet për të gjithë besimtarët myslimanë. Le të reflektojmë mbi vlerat e solidaritetit, dashurisë dhe sakrificës që kjo festë na sjell.Gëzuar Kurban Bajramin për të gjithë besimtarët myslimanë!” ka shkruar Visar Azemi, kryetar i degës së LDK-së në Ferizaj