Ferizaj

Kryetari Aliu po merr pjesë në Kongresin e Biznesve Shqiptaro-Gjermane në Gjermani, fton mërgatën të investoj në Ferizaj

By FerizajPress

November 10, 2019

Me organizim të Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane dhe ftesë të kryetarit të këtij Unioni, Nazmi Viqa, i pari i Ferizajt, Agim Aliu bashkë me drejtorin e Zhvillimit Ekonomik, Zekir Bytyqi, tash e dy ditë po merr pjesë në Kongresin Ekonomik të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane në Frankfurt të Gjermanisë.

Në sesionet e këtij organizimi të gjerë biznesor, i pari i Ferizajt, Agim Aliu theksoi rëndësinë e jashtëzakonshme që ka mërgata për ekonominë e vendit, veçanërisht Ferizajn, duke i ftuar këta të fundit që të rrisin investimet në Ferizaj e gjithë vendin, gjë që do të ndikonte në mirëqenien ekonomike të qindra familjeve, duke i siguruar gjithë mbështetjen e pakursim e përkushtimin maksimal të qeverisjes së tij në funksion të këtij qëllimi.

Tutje, sipas tematikës, në këtë kongres u diskutua edhe për partneritetin publiko-privat dhe rolin e komunave në këtë proces, që do të nxiste poashtu investimet e huaja në vend dhe ndërveprimin e institucioneve të shtetit me biznesin privat.

Në këtë kongres u prezantua edhe puna e kompanive me kapital vendor në Gjermani, eksportuesit më të mëdhenj vendor, e me theks të veçantë biznese ferizajase që produktet e tyre zënë vend në tregun gjerman.