Ferizaj

Kryetari Agim Aliu mbyll vitin me suksese të shumta dhe me premtime të realizuara

By FerizajPress

December 16, 2022

Paraditen e sotme, i pari i Ferizajt, Agim Aliu ka mbajtur takimin e dytë me qytetarë të Ferizajt, për t’i njoftuar sukseset dhe sfidat me të cilat është ballafaquar qeverisja lokale në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2022, përkatësisht raportin e të arriturave përgjatë gjithë vitit të qeverisjes lokale.

Në frymën e llogaridhënies dhe kulturës së raportimit para qytetarëve, në fjalën e tij, Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu tha se kjo qeveri ka arritur rezultate të shumta, duke njoftuar të pranishmit për projektet të cilat janë realizuar në fushën e infrastrukturës dhe shërbimeve publike.

“ Është bërë përurimi i nënkalimit për vetura dhe këmbësorë në Nikadin, kemi nisur rikonstruktimin e një prej arterieve kryesore rrugore – rrugën “Ahmet Kaçiku”, asfaltuam segmentin rrugor që lidh fshatrat Bibaj- Talinoc i Muhaxherëve me gjatësi 2 kilometërshe, me trotuare, shirit gjelbërimi skaj rrugës, shtigje për çiklistë e infrastrukturën e nevojshme. Poashtu nisëm edhe punimet në rregullimin dhe zgjerimin e rrugës 3 kilometërshe në Zllatar, kemi shtuar sigurinë qytetarëve gjatë qarkullimit në rrugë përmes 9 kilometër trotuareve që rregulluam, rregulluam afro 5 Km shteg të ri të çiklistëve, kemi bërë edhe lehtësimin e qarkullimit në komunikacion përmes rregullimit të rrethrrotullimeve në rrugët: “Rexhep Bislimi”, “Emin Duraku” dhe “Vëllezërit Gërvalla””, është shprehur Kryetari Aliu, përderisa ka përmendur edhe projekte të tjera që janë realizuar në fushën e infrastrukturës dhe shërbimeve publike.

“Objekti i Shërbimit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Ferizaj iu nënshtrua renovimit e rikonstruktimit të jashtëm, pajisëm kompaninë “Pastërtia” me kamionë për grumbullimin e mbeturinave, furnizuam KRM “Pastërtia” mekontejnerë 1.1, 120 litërsh dhe me kompostër, mbështetëm njësinë e zjarrfikësve në Ferizaj me pajisje e mjete pune si dhe kemi bëre edhe vendosjen e hidrantëve të rinj në qytet e fshatra”, tha Aliu.

Në këtë takim me qytetarë, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka thënë se Ferizaj është komuna e vetme në nivel vendi që ka përfunduar ndërtimin e Qendrës së Trajtimit të Përkohshëm të qenve endacak.

“Poashtu kemi nisur sesionet informuese për vetëdijësimin e nxënësve në shkolla për mënyrën e sjelljes dhe transmetimin e sëmundjeve nga qentë endacak tek njerëzit. Vijuam projektin për trajtimin e qenve endacak, duke trajtuar mbi 1300 qenë endacak, hapëm 4 pika ushqyese për qentë endacak”, ka thënë Aliu, përderisa ka përmendur edhe projekte të tjera në fushën e bujqësisë dhe mjedisit.

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, në këtë takim publik është ndalur edhe tek fusha e Financa, Shëndetësi e Mirëqenie Sociale, Zhvillim Ekonomik, Arsimit, Kulturës, Rini dhe Sport.

Ndërkaq, ndër sfidat më kryesore është cekur edhe mungesa e investimeve kapitale direkte nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Nga ana tjetër qytetarët e pranishëm në këtë takim publik, kanë falënderuar Kryetarin Aliu dhe gjithë ekzekutivin komunal për të gjitha projektet që janë realizuar, por disa prej tyre patën edhe disa kërkesa kryesisht për asfaltim të rrugës, problemet me rrjetin elektrik, kanalizim.

Përparim Bytyqi, nga fshati Mirosalë, ka kërkuar nga Komuna e Ferizajt, që në këtë fshat te këtë pengesë në rrugë në mënyrë që mos te ketë lëvizjet shpejtë të automjeteve.

Pyetjeve të shumta që u bënë nga ana e qytetarëve përgjigje morën nga të gjithë drejtorët e Drejtorive komunale që ishin prezentë në këtë takim.