Ferizaj

Kryetarët shembuj që i regjistruan pronat bashkë me gratë

By FerizajPress

October 31, 2019

Agim Aliu, Refki Suma, Naim Ismaili, Mytaher Haskuka, Agron Kuçi, Lutfi Haziri, Gazmend Muhaxheri e Xhafer Gashi janë shembulli që do të duhej ta ndjekin edhe 30 kryetaret e tjerë të komunave të Kosovës.

Gratë e këtyre tetë kryetarëve posedojnë prona të regjistruara në emrin e tyre.

Në një hulumtim të kryer nga KALLXO.com, Agim Aliu, Refki Suma, Naim Ismaili e Gazmend Muhaxheri kanë deklaruar se posedojnë pronë të paluajtshme të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshortet e tyre.

Ndërsa Mytaher Haskuka, Agron Kuçi, Lutfi Haziri e Xhafer Gashi kanë thënë për KALLXO.com se ndonëse momentalisht nuk kanë pronë të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshorte, bashkëshortet e tyre posedojnë prona të paluajtshme të regjistruara vetëm në emrin e tyre.

Nga viti 2016 Qeveria e Kosovës e ka miratuar një udhëzimi administrativ për regjistrimin e pronës së paluajtshme të përbashkët në emër të dy bashkëshortëve me qëllim të inkurajimit të çifteve të reja që nga fillimi i krijimit të pronës ta gëzojnë të drejtën e regjistrimit të asaj prone në emër të dy bashkëshortëve, e drejtë që është e garantuar edhe me Kushtetutën e Kosovës dhe me ligjet në fuqi.

Përfitimet që dalin nga ky Udhëzimi Administrativ NR.08/2018 për regjistrimin e pronës në emër të përbashkët të dy bashkëshorteve, është lirimi nga tarifa për shërbimin e regjistrimit, lirimi nga tatimi mbi pronën për periudhën 1 vjeçare si dhe lirimi nga tarifa për shpenzimet e noterit.

Në bazë të këtij udhëzimi, autoritetet publike janë të obliguara që të zbatojnë masa të veçanta të përkohshme me qëllim të rritjes së numrit të grave të regjistruara si pronare të përbashkëta si dhe me qëllim të përshpejtimit të realizimit të barazisë faktike midis burrave dhe grave në të drejtën pronësore.

Në përkrahje të kësaj iniciative BIRN-i ka kontaktuar afro 2 mijë zyrtar të lartë në vendin tonë për të parë nëse këta zyrtar janë duke e respektuar Udhëzimin Administrativ të Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e pronës së paluajtshme të përbashkët në emër të dy bashkëshortëve.

Por gjetjet e hulumtimit të BIRN-it kanë pasqyruar se vetëm diku tek 10% e këtyre zyrtareve të lartë janë duke e respektuar këtë udhëzimin administrativ për regjistrimin e pronës në emër të dy bashkëshortëve.

Zyrtaret e lartpërmendur janë kontaktuar nga BIRN-i përmes zyrtareve për informim të institucioneve përkatëse, të cilët kanë deklaruar se i kanë pranuar pyetjet tona dhe të njëjtat ua kanë përcjellë zyrtareve por përkundër kërkesave tona të përsëritura disa here, vetëm një numër jashtëzakonisht i vogël i zyrtareve i janë përgjigjur pyetjeve tona.

Faktet e tjera tregojnë se Kosova ka një krizë të madhe në sigurimin e regjistrave të pronave. Strategjia kombëtare për pronat tregon se 50% e regjistrave kadastralë janë në emër të personave të vdekur ndërsa 30% e njerëzve që aplikojnë për ta regjistruar shtëpinë e ndërtuar nuk mund ta bëjnë këtë pasi toka dhe pasuria është e regjistruar në emër të personave të vdekur dhe trashëgimia duhet përfunduar paraprakisht.

Vetëm 16 % e grave kanë pronë ndërsa hulumtimet e BIRN tregojnë se vetëm një përqindje e vogël e politikanëve diku tek 10% kanë përmbushur zotimet se do i regjistrojnë pronat në emër të grave.

Shqetësimi më i madh në realizimin e të drejtave pronësore të palëve edhe më tej vazhdon të mbetet fakti se të dhënat kadastrale nuk janë korrigjuar pas vdekjes së pronarëve të pronave të paluajtshme kjo për faktin se familjarët e këtyre personave nuk i kanë iniciuar fare procedurat e trashëgimisë.

“Propozimet për kryerjen e trashëgimisë së vonuar janë ato të cilat i iniciojnë anëtarët e familjes (trashëgimtarët potencial) të trashëgimlënësit bartës i të drejtave pronësore, shumë vite pas vdekjes së tij (shpeshherë 20 vite e më shumë)”, thuhet në Strategjinë Kombëtare për të drejtat pronësore në Kosovë.

Sipas këtij raporti thuhet se deri në 30% të gjithë parashtruesve të kërkesave për legalizim dhe regjistrim të të drejtave të tyre pronësore, nuk arrijnë ta regjistrojnë pronën për shkak se nuk e kanë filluar procedurën e trashëgimisë me kohë prandaj të drejtat dhe prona të cilën ata e posedojnë aktualisht mbetet e regjistruar në emrin e trashëgimlënësit të vdekur.

“Trashëgimtarët potencial në shumicën e rasteve i kanë ndërtuar shtëpitë e tyre në tokën e cila evidentohet në emrin e trashëgimlënësit dhe de facto i ushtrojnë të drejtat e tyre pronësore mbi atë pronë. Për t’i legalizuar këto të drejta, trashëgimtarët potencial duhet ta fillojnë procedurën e trashëgimisë”, thuhet më tej në këtë raport.

Një sfidë tjetër me të cilën po përballën qytetarët e Kosovës në momentin kur po duan që ta bartin pronën në emër të tyre është edhe fakti se të dhënat kadastrale nuk po korrespondojnë me gjendjen reale.

Kjo për shkak se të dhënat nëpër  komuna po dalin se janë të vjetruara dhe nuk po korrespondojnë me gjendjen reale në terren.

“Vendimet gjyqësore dhe aktet noteriale me të cilat krijohen të drejta mbi pasurinë e paluajtshme duhet të përmbajnë informatat me të cilat përshkruhet prona, respektivisht duhet të jetë “identike me të dhënat e regjistruara në kadastër (numri i njësisë, sipërfaqja, etj.)”, thuhet në raportin për Strategjinë Kombëtare për të drejtat pronësore në Kosovë.

Në po këtë raport thuhet se edhe pse ZKK-të janë të autorizuara që t’i përmirësojnë gabimet teknike si p.sh., emrat topografk të shkruar gabimisht në harta apo të korrigjojnë numrat personal të shkruar gabimisht, me ligj nuk është e përcaktuar qartë se si duhet ZKK-të të bëjnë dallimin midis gabimeve “teknike” dhe atyre “materiale”.

BIRN në vazhdimësi ka bërë përpjekje për inicimin e fushatave vetëdijësuese si për zyrtarë publikë ashtu edhe për opinionin e gjerë me qëllim të vetëdijesimit lidhur me rëndësinë e regjistrimit të pronës së përbashkët në emër të dy bashkëshortëve