“Përderisa në Kosovë po rritet biznesi privat, i cili po gjeneron vende pune e rritje ekonomike, në disa vende të rajonit këto trende janë negative, që nënkupton se më shumë mbyllen biznese në krahasim me ato që hapen”, ka shkruar Mustafa.
Postimi i plotë:
Të nderuar miq,Vazhdimisht kemi konstatuar se prioritet thelbësor i këtij koalicioni qeverisës është zhvillimi ekonomik. Kemi siguruar qëndrueshmëri financiare dhe fiskale me rritje stabile ekonomike prej mbi 4% për vitin 2015 dhe 2016, ndërkaq në vitet në vijim rritja do të jetë edhe më e madhe. Politikat e Qeverisë nxisin sektorin privat, lindjen e bizneseve të reja dhe vendeve të reja të punës nga sektori privat. Sipas statistikave të biznesit, në vitin 2016 janë hapur 10549, e janë mbyllur 2379 biznese. Sipas European Commerce Registry Forum, ky raport i bizneseve të reja kundrejt atyre të mbyllura është më i miri në Evropë. Përderisa në Kosovë po rritet biznesi privat, i cili po gjeneron vende pune e rritje ekonomike, në disa vende të rajonit këto trende janë negative, që nënkupton se më shumë mbyllen biznese në krahasim me ato që hapen. Në anën tjetër, raporte të ndryshme konfirmojnë se në dy vjet kemi krijuar mbi 40.000 vende të reja të punës. Raporti i fundit i ASK-së tregon për numër të përgjithshëm të të punësuarve në Kosovë prej 347,185 deri në tremujorin e tretë 2016, që është numri më i lartë ndonjëherë. Zhvillimi ekonomik është parakushti themelor për një shtet të fortë dhe të respektuar.