Lajme

Kryeministri Isa Mustafa uron presidentin Hashim Thaçi

By FerizajPress

April 07, 2016

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në emër të Qeverisë së Kosovës, uron presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për zgjedhjen dhe dhënien e betimit para deputetëve. Kryeministri Mustafa i uron presidentit Thaçi suksese në këtë detyrë, duke shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për bashkëpunim në realizimin e synimeve të qytetarëve të Kosovës për zhvillim ekonomik, fuqizim të gjithanshëm të shtetit dhe integrime euroatlantike. Kryeministri Isa Mustafa thekson se zgjedhja e presidentit të ri të Kosovës nga ana e përfaqësuesve të popullit të Kosovës në Kuvend, është një hap i rëndësishëm që dëshmon stabilitetin dhe funksionalitetin e plotë institucional e demokratik të shtetit të Kosovës. Qeveria e Republikës së Kosovës, po ashtu, fton të gjithë përfaqësuesit dhe subjektet politike në Kosovë që, në partneritet me SHBA-të dhe vendet tjera mike, të jenë pjesë e angazhimeve të përbashkëta për realizimin e aspiratave të qytetarëve të Kosovës.