Lajme

Kryediplomati kroat: Serbia ka qenë historikisht burim luftërash

By FerizajPress

April 17, 2016

Ministri i Jashtëm i Kroacisë, Miro Kovaç, theksoi se Serbia nuk mund të jetë gjykatës dhe polic për krimet e kryera në ish-Jugosllavi, pasi ka qenë historikisht burim luftërash.

Në një intervistë për revistën “Jutarnji List”, shefi i diplomacisë kroate mohoi se vendi i tij po bllokon rrugën e Serbisë drejtë anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Kovaç tha se nuk bëhet fjalë për bllokadë të rrugëtimit të Serbisë drejtë unionit, por nënvizoi se bëhet fjalë për përmbushje të kushteve nga ana e Serbisë në fushën e gjyqësorit dhe respektimit të të drejtave të njeriut, vlera të cilat karakterizojnë identitetin e familjes evropiane.

Kovaç theksoi se bashkëpunimi i Beogradit me Tribunalin në Hagë është një kriter në negociatat me Brukselin.

“Është e qartë se shteti, nga i cili kanë buruar planet për luftërat në vitet e 90-ta, nuk mund të jetë gjykatës dhe polic për krimet e kryera në ish-Jugosllavi. Është ky një absurd, i cili pamundëson marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë”, u shpreh Kovaç.