Ferizaj

KRU Bifurkacioni siguron të gjithë konsumatorët se uji i prodhuar është i sigurt për konsum

By FerizajPress

July 16, 2021

Ferizaj. 16 Korrik 2021

Gjatë ditës së sotme kemi vërejtur se në rrjetet sociale kanë qarkulluar informacione të pa sakta përmes së cilave është vënë në dyshim cilësia e ujit të pijshëm. Një gjë e tillë ka ngjallur shqetësim tek konsumatorët e KRU Bifurkacioni ShA, kjo gjë është vërejtur edhe nga numri i shumtë i telefonatave që kemi marrë gjatë ditës së sotme.

KRU Bifurkacioni siguron të gjithë konsumatorët se uji i prodhuar është i sigurt për konsum dhe  se i njëjti testohet përmes mostrave të mbledhura në baza ditore në laboratorin e kompanisë në fshatin Pleshinë si dhe nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).

Analizat e mostrave të ujit, flasin se uji është brenda normave duke rezultuar i sigurt për konsum dhe  në përputhje me parametrat e përcaktuara sipas udhëzimit administrativ 16/2012 i cili është udhëzim i njëjtë me standardet e Bashkësisë Europiane.

Bëjmë thirrje të gjithë konsumatorëve që mos të bien pre e keqinformimeve të cilat vijnë nga burime të pa identifikuara, por të bazohen vetëm në informatat të cilat vijnë nga organet kompetente siç është KRU Bifurkacioni ShA apo  Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).

Ju faleminderit!