Ferizaj

Krimet Ekonomike arrestojnë personin që përfitoi kundërligjshëm nga vendimet e Qeverisë

By FerizajPress

February 10, 2022

Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Ferizaj, bazuar në Autorizimin e Prokurorisë Themelore-Ferizaj, pas veprimeve hetimore disa mujore të ndërmarra në grumbullimin e dëshmive lidhur me dyshimet se një person me iniciale (J.U.) si pronar i një kompanie dyshohet për kryerje të Veprave Penale “Mashtrimi me Subvencione” dhe “Falsifikimi i dokumentit”, ka rezultuar me arrestimin e tij.

Sipas policisë, i njëjti me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm nga vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për ndihmat me Pakon Fiskale Emergjente për COVID-19, për shoqëritë tregtare dhe punëdhënësit tjerë që regjistrojnë punëtorë me kontrata pune së paku një vjeçare nga 130 Euro për dy muaj pasues pas regjistrimit, kishte lidhur disa kontrata pune (gjithsej 19-të) duke deklaruar në ATK se ka 19-të punëtorë të rinj dhe përfitimi nga kjo masë ishte 2,470.00€ për një muaj, që gjithsej për dy muaj (Mars-Prill 2020) ishte 4940.00€.

“I dyshuari i lartcekur me iniciale nuk i kishte deklaruar pagat e punëtorëve në ATK dhe nuk i kishte kryer pagesat as të tatimit të mbajtur në burim as nuk kishte paguar kontributet e pensioneve.

I njëjti edhe pasi parat e pakos emergjente u kishin dalë në xhirollogari të punëtorëve, u kishte bërë presion (personave të deklaruar si punëtor) që shumën prej 100€ për muaj t’ia japin atij, ndërsa pjesën prej 30€ ta ndalin për vete. Me këtë rast pjesa më e madhe e tyre kishin pranuar, ndërsa për ata që nuk kanë pranuar këtë ofertë, i dyshuar kishte përpiluar nga një faturë fiktive, duke e nënshkruar vetë në emër të blerësit, ku disa nga këto fatura ishin në vlerë deri 260.00€, në emër kompanisë kinse kanë marr material elektrik, e të njëjtat fatura (të falsifikuara) i kishte dorëzuar te përmbaruesi privat”, thuhet në njoftimin e policisë, transmeton Express.

Sot me datë 10.02.2022, është intervistuar në cilësi të dyshuarit personi me iniciale (J.U.) nga Ferizaj, pronari i kompanisë lidhur me dyshimet për “Mashtrim me Subvencione” dhe “Falsifikim i dokumentit” në prezencë të Avokatit mbrojtës, të caktuar sipas detyrës zyrtare, dhe pas konsultës me Prokurorin kompetent të dyshuarit i caktohet masa e ndalimit për 48 orë.