Ferizaj

Krejt çka i tha avokatit i dyshuari për vrasjen në Ferizaj – a u intervistua Buta?

By FerizajPress

May 29, 2022

Kastriot Zenuni, avokat i Qendrim Januzit i cili po dyshohet për vrasjen e 30-vjeçarit Gazmend Hyseni në orët e para të së shtunës në Ferizaj, ka thënë se nuk ka biseduar pothuajse fare me klientin e tij.

Avokati tha se Qendrim Januzi ishte në gjendje të keqe para dhe gjatë seancës dëgjimore dhe se s’ka mundur të flasë më shumë me të, përveçse ta njoftonte se është avokati i tij.

“Kam biseduar shumë shkurt para fillimit të seancës. Doktori tha se nuk mund të përgjigjet. Është përgjigjur vetëm me ‘po’ dhe ‘jo’. I tregova që jam avokati juaj. Veç më ka thënë ‘mirë’ dhe s’ka qenë në gjendje të flasë”, tha Zenuni.

Ai tha se “në bazë të Prokurorisë, nuk e kanë dëgjuar ende dëshmitarin”, i cili sipas pamjeve të publikuara, shihet se ka qenë me viktimën.

Në dosjen e Prokurorisë, Kallxo.com raportoi se përshkruhet se motivi i vrasjes dyshohet se ka të bëjë me djegien e një veture të vëllait të të dyshuarit, reperit Buta dhe se i dyshuari ka pretenduar se vetura i ishte djegur nga tashmë viktima G. H.

I pyetur nëse Buta është intervistuar nga organet e ndjekjes, avokati Kastriot Zenuni i tha Expressit se “në bazë të infomracioneve, nuk është intervistuar”.

Seanca dëgjimore është mbajtur në QKUK, aty ku Qëndrim Januzi u dërgua pas vrasjes.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari ka bërë të ditur se Gjykata Themelore e Ferizajt ia ka caktuar Qednrim Januzit 30 ditë paraburgim.

Avokati Kastriot Zenuni tha se nuk e ka marrë ende vendimin e gjykatës.