Lajme

Krasniqi për mediat izraelite: Bujqësia, aty ku Kosova e Izraeli mund të bashkëpunojnë

By FerizajPress

September 16, 2016

Në një intervistë për Nep Magazine ai ka thënë se bujqësia, por edhe fushate tjera si teknologjia e informacionit dhe mjekësia janë fushat ku Kosova mund të përfitojë nga përvoja e Izraelit.

Ai këto deklarata i ka dhënë gjatë një vizite zyrtare që kishte në Tel Aviv me ftesë të Institutit Izraelit për Eksport dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, gjatë së cilës ka takuar përfaqësues të institucioneve publike, përfaqësues të bizneseve që merren me bujqësi dhe të instituteve të ndryshme që merren me kërkime shkencore në fushën e bujqësisë.

“Këto takime janë vetëm hapat e parë të krijimit të një raporti me të afërt bashkëpunimi mes dy vendeve. Hapat tjerë mund të ketë në të ardhmen, sic është ideja për organizimin e një forumi të bizneseve kosovare dhe izraelite në Prishtinë nga ku mund të lindin bashkëpunime konkrete ndërmjet bizneseve nga të dyja vendet. Dhe ne duam që raportet tona të ndërtohen në projekte dhe ide konkrete”, ka thënë ministri Krasniqi.

Ministri Krasniqi ka shtuar se edhe përkundër se Izraeli nuk e ka njohur Kosovën raportet e mira mes dy vendeve dhe popujve, që kanë traditë edhe nga e kaluara, mund të avancohen përmes bashkëpunimeve në ekonomi dhe në fusha të tjera. Ai ka shtuar se një lëvizje më e shpeshtë e qytetarëve nga Kosova në Izrael dhe anasjellstas mund të bëjë që komunikimi dhe bashkëpunimi të zhvillohet me projekte konkrete.

“Unë mendoj se zhvillimi i kontakteve ndërmjet njerëzve, ndërmjet afaristëve nuk duhet të kufizohet nga mungesa e marrëdhënieve ndërqeveritare. Kjo është arsyeja pse unë jam këtu sot, për të zhvilluar marrëdhëniet në mes të bizneseve dhe institucioneve të tjera, për të rritur volumin tregtar ndërmjet dy vendeve tona. Nuk ka dyshim se ne do të ishim të lumtur me njohjen nga Izraeli por tani ne e kuptojmë pozicionin e vendit tuaj, por edhe Izraeli e kupton pozicionin tonë.”