Lajme

Krasniqi: Kështu si ka nisur Kryeministri, do të kemi humbje të reja territoresh e sovraniteti

By FerizajPress

July 14, 2016

Kryetari i Këshillit Kombëtar i Nisma për Kosovën, Jakup Krasniqi ka thënë se kushtëzimet për demarkacionin me Malin e Zi, të “zbuluara” njëri pas tjetrit nga kryeministri Isa Mustafa, e të ndihmuar edhe nga ministrat e kabinetit të tij, e ka shtyrë të pyes me kë dreqin janë, kryeministri i Kosovës dhe ministrat e tij.

Ai në një opinion ka shkruar se me këto veprime të Kryeministrit “Akademik” do të duhej të reagonte fuqishëm ASHAK-u, anëtar i se cilës është, por ata kanë zgjedhur heshtjen në vend që të reagonin me argumente shkencor, duke u vërë kështu në mbrojtje të tërësisë territoriale të vendit e të interesit kombëtar.

Nga Jakup Krasniqi Kur para më shumë se 40 viteve e shikoja dramën “Baca i Gjetajve”, me ka mbetur në kujtesë një bisedë e zhvilluar në mes Bajraktarit e Arapit të Shkodrës: Kur i pari e pyeti të dytin se me ke dreqin ishte? Ai (Arapi) do të përgjigjej: “Me të gjithë, veç me komunistët jo”.

Zhvillimet politike, sigurisht jo vetëm të ditëve të fundit dhe sigurisht nuk kanë të bëjnë vetëm më demarkacionin, ma sollën në kujtesë dialogun e Kadri Bajraktarit me Arapin e Shkodrës që e kishte pas rruar mjekrën (dialog në dramën “Baca i Gjetajve”)!

Para disa ditë, Kryeministri dhe ministrat e tij, jo një herë patën deklaruar se nëse nuk ratifikohet demarkacioni, (presion ky i drejtuar mbi deputetët e opinionin publik), “do të na ik mundësia për liberalizimin e vizave”?!

Pa e qarë kokën se Kosova me demarkacionin e kufirit më Malin e Zi, po humbë 0.73% të territorit, pra gati 1% .

Edhe pse kushtëzimi i demarkacionit me liberalizimin e vizave është një rast i veçantë për Kosovën!

Mbase Brukseli edhe mund t’i fshehë pengesat tjera?! Por, Kryeministri nuk po mjaftohet më kaq, ai se fundi ka zbuluar edhe një xhevahir të ri: “Pa ratifikimin e demarkacionit, nuk ka ushtri të Kosovës”?!

Kështu si ka nisur, nesër do ta “zbuloj” një kushtëzim të ri!!! Pra, nesër mund të thotë: “Pa Zajednicen” nuk ka liberalizim të vizave”?! Ndërsa pasnesër do të pjellin një kushtëzim të ri! Dhe kështu kushtëzimet do të vazhdojnë njeri pas tjetrit. Kështu si ka nisur, do të kemi humbje të reja territoresh e sovraniteti.

Asnjë nga këto veprime te Kryeministrit nuk shkojnë në shërbim të mbrojtjes se tërësisë territoriale e të sovranitetit të shtetit.

Në një situatë të tillë, njeriu normal nuk ka si mos të shpërthej më tërë mllefin: O nuk na duhet liberalizimi i vizave as integrimi e as ushtri e “Zajednic”, derisa na qeverisin njerëz të mjerë që nuk dinë se çka është shteti, kombi e atdheu. Nuk na duhet këto të “drejta”, derisa na kushtëzohen më humbjen e 1% të territorit e të sovranitetit!

Kushtëzimet e “zbuluara” njëri pas tjetrit nga Kryeministri e të ndihmuar edhe nga Ministrat e Kabinetit të tij, me shtyn të pyes? Me ke dreqin janë, Kryeministri i Kosovës dhe ministrat e tij? Përgjigja me erdhi krejt natyrshëm: Janë me dreqin e të birin, vetëm se, jo me qytetarët dhe Republikën Kosovës, Kryeministër e ministra të së cilës janë! Ke përfaqësojnë e ke duhet të mbrojnë ata? Qytetarët e Kosovës apo gjithë të tjerët?! Pra këta janë “më të gjithë të tjerët, vetëm me shqiptarët jo!”

Të përfundojmë: Me këto veprime te Kryeministrit “Akademik” do të duhej të reagonte fuqishëm ASHAK-u, anëtar i se cilës është, por ata kanë zgjedhur heshtjen në vend që të reagonin me argumente shkencor, duke u vërë kështu në mbrojtje të tërës isë territoriale të vendit e të interesit kombëtar! Kuptohet nga këto veprime të Kryeministrit, nuk mund të amnistohen as aleatet në qeverisje.

Përgjegjësit mes tyre janë fifti-fifti, mbase edhe sipas fuqisë politike.