Lajme

Krasniqi: Dhuna në Maqedoni po nxitet nga Gruevski për shkak të humbjes së pushtetit

By FerizajPress

March 02, 2017

Gruevski bëri thirrje që shqiptarëve të Maqedonisë të mos iu njihet e drejta për gjuhë, duke shkaktuar protesta në këtë shtet dhe sulme në mes komuniteteve.

Shkrimtari Milazim Krasniqi thotë se thirrja për dhunë është duke u nxitur nga Gruevski, pasi sipas tij, humbja e pushtetit për ish-kryeministrin e Maqedonisë do të thotë shkuarje në burg.

Krasniqi thotë se Gruevski është adresa e vetme e kësaj dhune, pasi nuk është duke e pranuar humbjen dhe si rrjedhojë është duke bërë thirrje që t’i mobilizojë maqedonasit me një paranojë anti-shqiptare.

“Gruevski ka ardhur në pushtet dhe ka mbajtur pushtetin me ideologjinë dhe taktikat anti -shqiptare, të njëjtat taktika po përpiqet t’i imponojë tash që e ka humbur pushtetin dhe po mundohet që t’i mobilizojë maqedonasit me një paranojë anti- shqiptare, se gjëja këta po humbasin sovranitetin dhe në fakt, incidentet dhe dhuna e fundit është produkt i thirrjeve të tij për dhunë anti shqiptare. Kështu që në këtë aspekt ai është me siguri adresa dhe fajtori kryesorë për incidente dhe çdo gjë të dhunshme që mund të ndodhë në Maqedoni”, thotë Krasniqi për lajmi.net

Profesori universitar Krasniqi konsideron se funksionon drejtësia me qeverinë e re, Gruevski do të përfundonte në burg.

Krasniqi thotë se Gruevski është përgjegjës për shumë krime në Maqedoni, dhe për këtë arsye është kaq histerik dhe nervoz.

“Besoj që edhe qytetarët maqedonas tashmë e kanë kuptuar taktikën e tij fashiste, prandaj edhe ka filluar ai proces i shkëputjes definitive prej tij dhe partisë së tij, ashtu që pritet që përkundër këtyre provokimeve dhe taktikave të dhunës, të formohet qeveria e re, pa Gruevskin, pa VRMNO-në, pra një kualiucion i LSDM-së me partitë shqiptare i cili do të instalojë shtetin ligjor, që jam i bindur se Gruevski do të përfundonte në burg nëse imponohet drejtësia, sepse ai është përgjegjës për shumë krime që janë bërë në vitet e kaluara sa ka qenë kryeministër. Prandaj është aq histerik dhe aq nervoz sepse ai e di që nëse krijohet shteti ligjor, ai do të jetë përgjegjës para drejtësisë”.

Krasniqi thekson se fuqia e Gruevskit është më e limituar se që ka qenë sepse e ka kuptuar se taktika anti shqiptare nuk siguron stabilitet.

“Besoj që nuk duhet të paragjykohet Zaievi, ajo që dihet për Gruevskin është se në 10 vitet e kaluara ka imponuar taktika anti shqiptare, ndërsa ky ende nuk ka filluar dhe nuk ka pushtet. Fuqia e Gruevskit është e limituar dhe e ka kuptuar se me taktikat anti shqiptare, as nuk sigurohet stabiliteti, e as integrimi në struktura euro atlantike, vetëm me bashkëpunim me faktorin shqiptarë mund t’i arrijë qëllimet drejt integrimit”, thotë Krasniqi.

Dje në protesta në Maqedoni janë sulmuar dy gazetarë shqiptarë që ishin duke përcjell protestat. Po ashtu janë raportuar edhe sulme ndëretnike në këtë shtet.

Kujtojmë se Maqedonia po sa ka dal nga zgjedhjet nacionale dhe askush nuk ka pranuar të bëjë koalicion me Gruevskin, ndërsa e drejta për formimin e Qeverisë i është dhënë partisë së dytë LSDM-së./Lajmi.net/