Lajme

KQZ-ja refuzon t’i kundërshtojë zgjedhjet e Serbisë në Kosovë

By FerizajPress

April 19, 2016

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka refuzuar të kundërshtojë mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.

Një gjë e tillë u kërkua nga përfaqësuesit e opozitës në KQZ, por në fund me shumicë votash u hodh poshtë kërkesa e tyre me arsyetimin se ky proces është jashtë përgjegjësive të institucionit të vetëm në Kosovë i cili menaxhon me procese zgjedhore.

Kryetarja e këtij institucioni, Valdete Daka, ka thënë se atyre nuk u takon të përfshihen në këtë proces, pasi bëhet fjalë për zgjedhje të një shteti tjetër.

E propozuar si pikë e rendit të ditës nga përfaqësuesi i “Vetëvendosjes” në KQZ, Adnan Rrustemi, dhe e mbështetur edhe nga përfaqësuesi i AAK-së, Binak Vishaj, dhe ai i NISMË-s për Kosovën, Eshref Vishi, të hënën është kërkuar nxjerrja e një deklarate të përbashkët përmes së cilës kundërshtohet organizimi i zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.