Ferizaj.21.02.2018 . Klubi i ping pongut “Ahmet Hoxha” do të udhëtojë nesër në formacion të plotë drejt qytetit Otočec të Sllovenisë ku nga datat 23 deri 25 shkurt 2018 do të mbahet Kupa Ballkanike e Klubeve. Në këtë garë prestigjioze pritet të marrin pjesë klubet më të mira të 11 shteteve të Ballkanit. Klubi i ping pongut “Ahmet Hoxha” ka bërë tanimë përgatitjet e duhura për një paraqitje sa më të denjë. Kjo pjesëmarrje është e një rëndësie të veçantë për klubin dhe qytetin tonë pasi për të parën herë po mundësohet një paraqitje zyrtare ndërkombëtare e klubit dhe qytetit tonë në arenën ndërkombëtare.
“Me këtë rast falënderojmë Federatën e Ping Pongut të Kosovës, Kuvendin Komunal të Ferizajt dhe të gjithë mbështetësit, kontribuuesit, sportdashësit dhe dashamirët tonë që kanë përkrahur aktivitetet e klubit tonë ndër vite dhe kanë besuar në synimet tona të drejta në promovimin e mëtejmë të sportit të ping pongut në qytetin e Ferizajt dhe më gjerë” thuhet në komunikatën e Kryesisë së KPP “AHMET HOXHA”