Lajme

Kosova ua ndalon hyrjen personave që kanë leje nga strukturat paralele serbe

By FerizajPress

April 15, 2016

Ministrja për Dialog Edita Tahiri, përmes një komunikate për media njofton se duke filluar nga data 18 prill 2016 nuk do të lejohet hyrje/dalja në Republikën e Kosovës për të gjithë personat që posedojnë lejet ilegale të njoftimit (ID kartat) të lëshuara nga strukturat paralele të Serbisë në Kosovë.

Tahiri, bëri me dije se pas shumë përpjekjesh në kuadër të dialogut të Brukselit që të ndalet dukuria e përdorimit të lejeve ilegale, ende ka raste kur ato shfaqen nga përdorues të ndryshëm.

“Në dhjetor të vitit të kaluar, kemi aplikuar masën e ndalesës për lejet ilegale dhe me kërkesën e Bashkimit Evropian kemi suspenduar këtë masë që t’i japim mundësi BE-së ta zgjidh këtë çështje.

Në takimin për IBM në Bruksel, gjatë marsit të këtij viti, e kemi ngritur përsëri këtë shqetësim në Bruksel ku u morëm vesh se nëse vazhdojnë problemet, atëherë Qeveria e Kosovës do ta kthej në fuqi masën e ndalesës”, thuhet në komunikatë.

Për këtë masë ndalesë në komunikatë thuhet se Kosova është marrë vesh me BE-në si dhe paraprakisht është njoftuar edhe BE-ja për vendimin dhe datën e rikthimit të masave ndaluese.