Ferizaj

Kosova përkujtoi sot 19-vjetorin e masakrës së Reçakut, ku u vranë mbi 45 civilë të pafajshëm shqiptarë

By FerizajPress

January 15, 2018

15.01.2018. Që nga orët e hershme të mëngjesit të sotëm, janë bërë homazhe, duke nderuar kështu veprën sublime të të rënëve ne fshatin Reçak.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli ishin ndër të parur që bënë homazhe në Kompleksin Përkujtimor në Reçak, si dhe kanë marr pjesë edhe në një akademi përkujtimore të organizuar me këtë rast në përkujdesje të presidentit të Republikës së Kosovës. Në homazhe, por edhe akademinë përkujtimore ka marr pjesë edhe kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij.

Ai me këtë rast ka thënë se në 19 vjetorin e Masakrës së Reçakut kujton gjakun e martirëve, dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Në 19 vjetorin e Masakrës së Reçakut kujtojmë gjakun e martirëve,dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të pafajshmëve, burra e gra, pleq e fëmijë që paguan çmimin më të shtrenjtë të lirisë dhe pavarësisë së vendit. Kjo masakër ishte terrori shtetëror, krimi kundër njerëzimit që ktheu vëmendjen botërore kah vuajtjet e masakrat në të cilat po kalonin populli shqiptar, duke i dhënë përfundimisht goditjen fatale shtetit barbar serb. 15 janari është ditë dhimbje e sakrifice, vullnetit të papërkulur për lirinë e vendit. Populli shqiptar gjithmonë do ta përkujtoj këtë plagë në trupin e historisë së saj, do ta kujtoj heroin e saj të Reçakut – Ambasadorin William Walker, komandantin dhe heroin e luftës çlirimtare Ahmet Kaçiku, dëshmorin e lirisë Vezir Jashari si djemtë e vashat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe gjithë akterët tjerë që këtë masakër e kualifikuan drejt – krim kundër njerëzimit”, është shprehur kryetar Aliu.

Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, e pati cilësuar masakrën e Reçakut si krim kundër njerëzimit. Më 15 janar 1999, në fshatin Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur.