Lajme

Kosova në Kampionatin Botëror të Lëvrimit (Foto)

By FerizajPress

September 11, 2016

Anëtarësimi i Kosovës në Organizatën Botërore të Lëvrimit, i bërë para gjashte viteve, u ka krijuar mundësinë lëvruesve kosovarë që të konkurrojnë me shtetet më të mëdha të botës, të cilat kanë përvojë shumëvjeçare në këtë fushë.

Zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë, e cila mbështet përfaqësimin e tyre në këtë kampionat, tregojnë se pjesëmarrja e përfaqësueses kosovare në këtë kampionat, përveç epitetit garues ka për qëllim edhe promovimin e fuqishëm të shtetit të Kosovës, shkëmbimin e praktikave me të mira të lëvrimit, përmirësimin dhe shfrytëzimin racional të tokës, duke u bazuar në rregulloren e Organizatës Botërore te Lëvrimit.

Bekim Hoxha, udhëheqës i delegacionit kosovarë dhe njëherësh edhe anëtar i Bordit të Organizatës Botërore të Lëvruesve ( World Ploughingh Organization- WPO), tha se garuesit kosovarë gjatë viteve të kaluara kanë arritur të tregojnë rezultate pozitive në këtë disiplinë dhe kjo ka bërë që Kosova të tërheq vëmendjen e shumë mediave botërore që po mbulojnë këtë ngjarje.

“Kampionati Botëror i lëvrimit ka një traditë 62 vjeçare, ku shumica e shteteve tregojnë shkathtësitë e tyre në fushën e lëvrimit. Në mesin e këtyre shteteve, tashmë edhe Kosova ka katër vite radhazi që merr pjesë në këtë botëror, me këtë rast ata kanë arritur që të tregohen mjaft të suksesshëm”, ka thënë Hoxha.

Në Kampionatin Botëror të lëvrimit, Kosova përfaqësohet nga garuesi Lulzim Shehu, në disiplinën me plug konvencional, trajneri Afrim Sharku, dhe Alban Rama, Kryetar i Organizatës se Lëvruesve të Kosovës. Në ditën e parë garuesi Lulzim Shehu, ka treguar shkathtësi të jashtëzakonshme derisa rezultatet përfundimtare do të publikohen sonte në mbrëmje.