Ferizaj

Kosova fiton betejën e parë ligjore për Brezovicën

By FerizajPress

May 10, 2016

Kompania “Inex” nga Beogradi ka humbur betejën e parë ligjore me qeverinë e Kosovës për “pronësinë” e kompleksit turistik të Brezovicës.

Kompania që menaxhon këtë kompleks turistik të Kosovës edhe pas përfundimit të luftës e shpalljes së pavarësisë së vendit, pretendon se është pronare e kompleksit për shkak të investimeve që ka kryer dhjetëvjeçarë me parë.

Por, këto pretendime thuajse kanë marrë fund, për shkak se ka humbur rastin që brenda afatit prej 30 ditësh ta kontestojë vendimin e qeverisë së Kosovës për shpronësimin e kompleksit, përcjellin mediet kosovare.

Humbjen e afatit e ka konstatuar Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, e cila e ka shpallur të papranueshme kërkesën për interpretim të ligjshmërisë së vendimeve të qeverisë.

Pos humbjes së afatit për kontestim, “Inex” i është drejtuar Kushtetueses edhe pa shteruar mjetet e rregullta juridike – pa u ankuar në Gjykatën Supreme siç parashihet me ligjet në fuqi.

Parashtruesi i kërkesës ka kontestuar vendimin përfundimtar të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të 23 shtatorit 2015 dhe vendimin paraprak të Qeverisë se Republikës se Kosovës, të 3 shtatorit 2014.

Të dyja vendimet kanë të bëjnë me procedurën e shpronësimit me qellim ndërtimin e qendrës turistike në Brezovicë.

Qeveria e Kosovës më 25 nëntor 2014 shpalli fituesin e tenderit të emërtuar “Propozimi për Zhvillimin, Financimin dhe Operimin e Qendrës Turistike në Brezovicë”. Fitues doli konsorciumi i përbërë nga kompanitë: “Compagnie des Alpes”, “SA”, “PGI Managmanet” dhe “Outdoor Kosovo”. Ky konsorcium ka marrë të drejtën e shfrytëzimit të këtij resursi natyror për 99 vjet. Shuma që do të paguajë për shfrytëzimin e 3364 hektarëve tokë është 9.9 milionë euro. /E.B./