Lajme

Kosova e Izraeli, të hënën nënshkruajnë memorandumin e parë të mirëkuptimit

By FerizajPress

May 08, 2022

Të hënën e nëntë majit, do të nënshkruhet Memorandumi i parë i Mirëkuptimit midis Kosovës dhe Izraelit.

Kështu ka bërë të ditur Qendra Përkujtimore Botërore e Holokaustit, Yad Vashem, përmes një komunikate për media, ku theksohet se ky memorandum do të nënshkruhet në kuadër të kësaj qendre.

“Më nëntë maj, zv/kyeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla, do të vizitojë Qendrën Përkujtimore Botërore të Holokaustit, ku do të nënshkruajë memorandum e parë të mirëkuptimit duke i etabluar zyrtarisht marrëdhëniet formale mes Shkollës Ndërkombëtare për Studime të Holokaustit, Yad Vashemm dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, Yad Vashem ka rrjete ndërkombëtare të shkollave dhe shërbimeve arsmore në gjashtë kontinente

“Kosova, një vend me shumicë myslimane në Ballkan, do të shënojë fillimin e arsimimit rreth holokaustit për mësimdhënësit në seminare trajnuese”, vijon njoftimi.

Ndërkaq, Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në vizitën e parë zyrtare në Izrael, është takuar me kryetarin e Odës Ekonomike të Izraelit, Roy Roznek.

Kjo është bërë e ditur nga vetë kryetari Roznek, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.

“Vizita e parë e Ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gervalla-Schwarz në Izrael. Takimi me krerët e dhomave të tregtisë në Tel Aviv”, ka shkruar ai.

Ndryshe, vizitën të cilën e kishte paralajmëruar prej kohësh në Izrael, Gërvalla, po e realizon në këtë fundjavë.

Të dielën e tetë majit, ajo ka udhëtuar drejt Jerusalemit, ka thënë për RTV Dukagjinin, shefi i kabinetit të MPJD-së, Sharr Jakupi.

“Ministrja do të ketë shumë takime, duke përfshirë zyrtarë qeveritarë, universitete dhe OJQ”, thuhet në përgjigjen e Jakupit.

Në kuadër të kësaj vizite, ministrja Gërvalla do të takohet me homologun e saj Yair Lapid, me kryetarin e Jerusalemit Moshe Leon, ministrin për Jerusalemin dhe Trashëgiminë Zeev Elkin, kryetarin e Federatës Izraelite të Odës Ekonomike Uriel Lynn dhe një grup mërgimtarësh, të cilët jetojnë në Izrael.

Gjatë kësaj vizite temat kryesore do të jenë, avancimi i marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve, zhvillimet aktuale rajonale dhe ndërkombëtare, thuhej në njoftimin e ministrisë.

Ndryshe, Izraeli dhe Kosova kishin vendosur marrëdhënie diplomatike më një shkurt 2021, ndërsa Kosova hapi ambasadën e saj në Jerusalem, më 14 mars të po të njëjtit vit.

Hapja e kësaj ambasade rrjedh nga marrëveshja e katër shtatorit të vitit 2020 në Washington.

Ndërkohë, njohja e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli ishte pjesë e marrëveshjes së nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.