Igor, një serb i Kosovës, kujton kur u thirr vitin e kaluar nga një gjykatë në qytetin e Vushtrrisë për të dëshmuar shitjen e një parcele tokë 20 vite më parë nga i ndjeri babai i tij.
Ai shikoi seancën duke mos pasur dijeni se çka po thuhej meqenëse ishte në shqip, gjuhë që Igor nuk e kupton. Pasi dëshmoi në serbisht, atij iu dha deklarata e tij e shkruar për t’u nënshkruar, në shqip, duke mos e ditur nëse është reflektim i asaj që ka thënë ai.
“Fillimisht refuzova, por më thanë që nuk do bënte dallim sepse ata nuk kishin përkthyes për serbisht,” tha Igor, që refuzoi të jepte mbiemrin e tij.
“Më thërritën të dëshmoja si dëshmitar, besoj. Nuk e di. Mezi mora vesh diçka dhe nuk jam i sigurt se çka kam nënshkruar.”
Nën ligjin kosovar, gjuha shqipe dhe gjuha serbe janë të dyja gjuhë zyrtare për të gjitha institucionet publike në vend. Por siç zbuloi Igor, ligji për gjuhët nuk përfillet shpesh në të dyja anët etnike të Kosovës, duke krijuar rreziqe ligjore dhe duke kontribuar në një klimë të moskuptimit reciprok.
Një hulumtim në 2014 nga Gazeta në gjuhën serbe Frankfurtske zbuloi më shumë se 5,500 gabime në përkthimin serbisht të Kodit Penal të Kosovës, dhe më shumë se 4000 u zbuluan në kushtetutën e Kosovës dhe shtatë ligje tjera të Kosovës.
Edhe përkthimi serbisht i vetë ligjit për gjuhë përmban 249 gabime në vetëm 11 faqe të tekstit, sipas një rishikimi nga autori.
Ndërkohë që shumë gabime deshifrohen lehtësisht, disa kanë potencialin të krijojnë rreziqe ligjore ose paqartësi.
“Teknikisht, legjislacioni në Kosovë përkthehet në të gjitha gjuhët zyrtare, por është e nevojshme të kesh një kualitet të përkthimit që ato ligje të jenë të kuptueshme dhe të kenë kuptim,” tha Slavisa Mladenoviq, që si komisioner i gjuhës në qeverinë e Kosovës mbikëqyr zbatimin e ligjit të 2006 që i bëri të dyja, shqipen dhe serbishten, gjuhë zyrtare të shtetit.
“Zgjidhja për ne do të ishte të kuptonim që është mirë të jetojmë bashkë dhe të flasim gjuhën e njëri tjetrit,” tha ai. “Çka nevojitet është të hapet një departament në universitete dhe të mësohet gjuha e rrethinave në shkollë fillore.”
Ndërkohë që gjeneratat e vjetra – ata që u rritën para regjimit të ish-diktatorit serb Slobodan Milosheviq në Kosovë në vitet ‘90 – mund t’i kenë ditur gjuhët e njëri-tjetrit, kjo ka më pak gjasa tani mes të rinjve të Kosovës, komunitetet e së cilës janë ndarë nga njëra-tjetra nga lufta. Nxënësit shqiptarë të Kosovës nuk mësojnë serbisht, dhe nxënësit serbë të Kosovës nuk mësojnë shqip.
Gjithashtu, nuk ka departament të gjuhës serbe në Universitetin e Prishtinës, ose një departament të gjuhës shqipe në universitete të udhëhequra nga serbët. Edhe nëse do të kishte, vetëm këtë vit hyri në fuqi marrëveshja ku të dyja anët i njohin diplomat e universitetit të njëra tjetrës.
Organizata joqeveritare Aktiv, e bazuar në anën veriore, kryesisht serbe, të qytetit të ndarë të Mitrovicës, bëri një studim në 2016 që theksoi mungesën e përkthyesve në ministritë e qeverisë së Kosovës. Theksoi, për shembull, që në Ministrinë e Integrimeve Evropiane, nuk ka asnjë përkthyes në serbisht.
Në përgjigje për pyetjet nga BIRN, drejtori i komunikimit dhe informacionit në këtë ministri, Flamur Salihu, tha që përkthimi merret nga jashtë. “Ne nuk kemi buxhet të financojmë një pozitë shërbimi civil permanent për përkthim në gjuhën serbe,” tha ai. “Ministria e Integrimeve Evropiane ka kontraktuar një kompani lokale që ofron shërbime përkthimi për nevojat e ministrisë.”
Nga 48 ekspertët e gjuhës të punësuar nga institucionet shtetërore qendrore të Kosovës, vetëm njëri ka gjuhë amtare serbishten, sipas zyrës së komisionerit të gjuhës.
Mungesa e ekspertizës ka rezultuar me gabime që bien në sy. Në një deklaratë të lëshuar nga Agjencia për Investime të Huaja në 2013 fjala ‘i huaj’ është përkthyer si ‘vanzemajlci’, që në serbisht kupton ‘alienë’ në kuptimin e qenieve jashtëtokësore. Gabimi është përmirësuar, por të tjerat mbesin. Agjencia nuk është përgjigjur në kërkesën për koment.
Shqiptarët e Kosovës gjithashtu përballen me probleme të gjuhës, sidomos në komunat e veriut ku serbët etnikë janë shumica dhe organet e shtetit rrallë përkthejnë udhëzime ose vendime në shqip.
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), që monitoron problemin, tha që “duhet bërë shumë” në aspektin e respektimit të të drejtave të gjuhës në veri. Në përgjithësi, Zyra e Punëve Politike dhe Komunikimit e OSBE-së në Kosovë i tha BIRN që institucionet e Kosovës duhet të bëjnë “përpjekje më substanciale në këtë aspekt”.
“Edhe pse shumica e komunave kanë themeluar njësite përkthimi ose kanë asistentë përkthimi, përkthimet e kualitetit të dobët kanë rezultuar në numër të madh të problemeve, duke përfshirë mbingarkesë pune, numër jo të mjaftueshëm të përkthyesve, kualifikime të papërshtatshme dhe kushte pune të papërshtatshme,” thotë përgjigja.
“Pavarësisht nga këto mangësi, as institucionet e nivelit qendror dhe as komunat nuk ofrojnë mundësi trajnimi për përkthyes.”
OSBE mirëpriti hartimin në janar 2016 të një dokument strategjie për gjuhët nga komisioneri i gjuhës në Kosovë, por që ende nuk është adaptuar në nivelin qendror.
“Disa nga zgjidhjet që ne ofrojmë në atë strategji përfshijnë, për shembull, licencimin e përkthyesve dhe agjencive të përkthyesve që të shmangim njerëz joprofesional,” tha komisioneri, Mladenoviq.
“Gjithashtu ne sugjerojmë krijimin e shërbimeve linguistike në qeverinë e Kosovës që do të përkthenin dokumente publike. Kjo do të shmangte gabimet në ligje dhe urdhëresa.”
Zyra e Mladenoviq ka pranuar 20 ankesa për shkelje të të drejtave të gjuhës në gjashtë muajt e parë të vitit, krahasuar me 17 për gjithë vitin 2015, dhe 54 për 2014.
“Natyrisht, ka më shumë shkelje sesa ankesa zyrtare,” tha ai, “por njerëzit nuk ankohet nga frika e institucioneve”.
Disa nga këta të prekur rezervojnë inatin e tyre më pak për institucionet e Kosovës e më shumë për deputetët që votojnë ligjet e përkthyera dobët. Sidoqoftë, Slavko Simiq, lideri i partisë Lista Srpska në kuvendin e Kosovës, tha që ata përballen me këto probleme:
“Ne kemi të njëjtën situatë në komisione dhe në seancat e parlamentit,” tha ai. “Edhe pse ka gjithmonë përkthim simultan, është shpesh i paqartë, që krijon probleme për ne kur vjen puna të votojmë ligje të rëndësishme. Nëse nuk ka përkthim të qartë, ti nuk mund ta dish se për çka bëhet fjalë dhe do kesh dilema gjatë diskutimit.”
“Ne mundohemi të tërheqim vëmendjen për gabime të përkthimit gjatë komisioneve përmes të cilave ligjet duhet të kalojnë,” tha ai.
Por Milica Andriq nga OJQ Aktiv në veriun e Kosovës ishte skeptike.
“Secili nga këto ligje ka qenë para deputetëve serb që kanë ngritur duart për të votuar pro ose kundër, dhe asnjëri nuk ka thënë diçka për kualitetin e përkthimit,” tha Andriq.
“Një pjesë e madhe e përgjegjësisë është tek ata, sepse ata janë ata që duhet të bëjnë luftën për gjuhën.”