Lajme

Kosova dhe Serbia, ‘armiq’ në politikë, miq në tregti

By FerizajPress

November 10, 2016

Kjo dëshmohet edhe me faktin se në tregun e Kosovës, në masë të madhe janë të pranishme produktet e Serbisë.

Sipas të dhënave të Doganave të Kosovës, vetëm gjatë vitit 2015, importi i mallrave nga Serbia në tregun e Kosovës, ka arritur në 372 milionë euro. Kurse, 318 milionë euro ka arritur vlera e importeve të këtyre produkteve gjatë këtij viti.

Në anën tjetër, fuqia eksportuese e prodhimeve “ Made in Kosova” në tregun e Serbisë është dhjetë herë më e vogël, apo rreth 35 milionë euro në vit.

Zëvendëskryeministri në Qeverinë e Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ramiz Kelmendi, njëherësh pronar i kompanisë “Elkos Grop”, për Radion Evropa e Lirë ka thënë se Kosova ka një treg të lirë sa i përket shkëmbimeve tregtare me të gjitha vendet e rajonit dhe Bashkimit Evropian. Por, ai shpreh nevojën e përmirësimit të kushteve të prodhuesve vendor.

“Qeveria do të krijojë ambient dhe infrastrukturë ligjore e financiare në funksion të zhvillimit ekonomik të Kosovës. Dhe pastaj qytetarët e Republikës së Kosovës, kur të kenë opsione të mjaftueshme dhe kualitative, kanë mundësi të zgjedhin”.

“Kështu që qytetarët kanë me qenë një ndër faktorët vendimtarë, më të mëdhenj, të fuqizimit dhe konsumit të prodhimit të prodhuar në Kosovë”, ka thënë Kelmendi.

Ndërkaq, menaxheri për import në këtë kompani, Kushtrim Muja, për Radion Evropa e Lirë ka thënë se bashkëpunojnë me shumë kompani nga vendet e ndryshme të Bashkimit Evropian, por edhe me Serbinë.

Ai thotë se për shkak të afërsisë gjeografike dhe ekzistimit të shumë brendeve ndërkombëtare në Serbi, ka ndikuar që pesë për qind e gjithë produkteve të importohen nga shteti i Serbisë.

“Kryesisht, ne si kompani, bashkëpunojmë me brende të mëdha. Një numër i këtyre brendeve, prodhimin e kanë kaluar në Serbi”.

“Produktet që ne i marrim në Serbi dhe që kompanitë kanë pronarë serbë janë në një përqindje shumë të vogël. Por, kryesisht janë produkte të njohura botërore, që e kanë kaluar prodhimin e vet në Serbi”.

“Madje, disa produkte janë më të lira në Serbi. Por, ne jemi duke kërkuar alternativa tjera dhe në çdo moment që gjejmë produkte me çmim më të lirë dhe mallra nga vendet e tjera të rajonit apo edhe vendore, ne do t’i zëvendësojmë ato”, ka deklaruar Muja.

Kompania tjetër që importon një sasi të vogël të produkteve serbe është “Prizren Comerc”.

Menaxheri për import në këtë kompani, Jeton Gashi, ka thënë se përveç afërsisë gjeografike është edhe kërkesa e konsumatorëve për produkte të caktuara.

“Është afërsia, është çmimi më i volitshëm. Madje, me shtetin e Serbisë, përveç Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) nuk ka nevojë të paguhet 10 për qind taksa doganore, siç është e obliguar gjatë importit të produkteve nga vendet e Bashkimit Evropian”.

“Por, është edhe kërkesa e konsumatorëve, ngase në të kundërtën ne nuk do të sillnim në Kosovë këto produkte”, ka thënë Gashi për Radion Evropa e Lirë.

Një nga arsyet e rritjes së shkëmbimeve tregtare me Serbinë, sipas pronarëve të kompanive që kryejnë një biznes të tillë, është edhe marrëveshja për Tregti të Lirë, CEFTA – ku vendet e Ballkanit Perëndimor janë anëtare të këtij mekanizimi – dhe nuk ka obligime doganore.

Kurse, për importin e produkteve nga Bashkimi Evropian, në bazë të marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, marrëveshje kjo që ka hyrë në fuqi në prill të këtij viti, tatimi doganor për disa produkte ulet për dy për qind në vitet e para, kurse vetëm pas katër vitesh ky obligim do të jetë zero për qind për të gjitha produktet.

Nga taksa doganore pritet të lirohen edhe ato produkte që prodhohen edhe në Kosovë. /REL

.