Kontrata më e madhe e bërë në historinë e pasluftës në mes të Kosovës dhe një kompanie amerikane për sektorin e energjisë, do të publikohet këtë javë. Të paktën kështu thonë nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, ani pse është premtuar se e njëjta do të bëhej publike kohë më parë. 1 miliard euro do të shkojnë për termocentralin “Kosova e Re”. Marrëveshja me kompaninë amerikane “Countur Global” në vlerë prej mbi 1 miliard eurosh u konsiderua projekti më i madh në historinë e Kosovës. Që nga nënshkrimi i saj kur u bë më 21 dhjetor sikurse Qeveria, sikurse edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik u zotuan se kontrata do të bëhej transparente shumë shpejt, derisa një veprim i tillë nuk është bërë ende.
Por, nga ministria të cilën e drejton ministri Valdrin Lluka, thonë se publikimi i kësaj kontrate do të ndodhë deri në fund të kësaj jave, derisa nuk kanë treguar pse është vonuar në bërjen publike të saj.
“Kontrata për ndërtimin e TC Kosova e Re së shpejti do të jetë publike dhe e qasshme për të gjitha palët. Ne, do ju njoftojmë me kohë, për çdo gjë lidhur me publikimin e kontratës. Besojmë qe ka fundi i kësaj jave kontrata të jetë e hapur për publikim”, kanë thënë nga kjo ministri për Express.
Sipas kësaj marrëveshjeje, ndërtimi i termocentrali do të ketë një bllok prej 500 megavatëve dhe do të kushtojë 1.3 miliard euro.
ContourGlobal do të siguron kapitalin (30 për qind të vlerës se projektit) dhe kreditë e institucioneve ndërkombëtare financiare, duke e bërë këtë investimin më të madh të realizuar ndonjëherë në Kosovë.
Termocentrali “Kosova e Re” parashikohet të vihet në punë në vitin 2023, ndërsa sipas marrëveshjes Qeveria e Kosovës do ta marrë në pronësi impiantin pas një periudhe 20 vjeçare dhe pa asnjë kosto, derisa jetëgjatësia e termocentralit “Kosova e Re” është llogaritur 40 vjet.
Në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshje të pranishëm ishin liderët e institucioneve të Kosovës, ambasador i Shteteve të Bashkuara Greg Delawie si dhe përfaqësues tjerë diplomatikë./D.K./GazetaExpress/