Lajme

Konjufca përkrah Haradinajn, kërkon të mos hiqet taksa e kërkuar nga SHBA’ja

By FerizajPress

January 20, 2019

Deputeti i VV’së, Glauk Konjufca ka folur sikur Jakup Krasniqi për kërkesën e amerikanëve që të hiqet taksa ndaj produkteve serbe e boshnjake. Ka thënë se Kosova do të bëhej shtet joserioz nëse do të dëgjonte secilën këshillë të ndërkombëtareve përfshirë edhe për taksën.

Mirëpo, ka thënë se taksa nuk është raporti kryesor në raportet Kosovë-SHBA.

“Kosova i ka dy rrugë, njëra është që automatikisht, pa diskutim, të shndërrohet në njëfarë shteti i cili vetëm i hap veshët se kush po e thotë fjalën dhe automatikisht i zbaton, në formë të urdhrave. Ky nuk është shtet serioz”, ka thënë Konjufca, për Kosvapress.

“Raporti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Kosovën nuk mund të vendoset në një taksë që Kosova ia vendos Serbisë. Mendoj që do të ishte naivitet i papranueshëm nëse do të shpjegohej brenda këtyre konturave politike relacioni SHBA-Kosovë”, ka thënë Konjufca.

Sipas Konjufcës, taksa është shumë e nevojshme, pasi siç e konsideron ai, Serbia e ka mbështet Kosovën për muri me gjithë luftën diplomatike dhe ekonomike që po i bën. Zgjidhja më e mirë, Konjufca thotë se do të ishte reciprociteti i plotë në të gjitha aspektet.

Sipas tij, qeveria Haradinaj duhet të rrëzohet për shumë çështje të tjera, por jo për taksën e vënë. Derisa ka shtuar se PDK-ja në një mënyrë po e shantazhon kryeministrin Haradinaj, duke kërkuar që ai të jetë më i butë ndaj Serbisë.

Për insistimin e SHBA-së për heqje të taksës, Konjufca thotë se Kosova nuk duhet të shndërrohet në një shtet që vetëm i hap veshët dhe dëgjon se kush po i flet.

Sipas tij, partneri i koalicionit, PDK-ja po e shantazhon Haradinajn, duke kërkuar që ai të jetë më i butë ndaj Serbisë.

“PDK-ja në një mënyrë po e shantazhon kryeministrin Haradinaj, duke kërkuar që ai të jetë më i butë ndaj Serbisë. Lëvizja Vetëvendosje është e kundërta. Nuk mendon që Ramush Haradinaj duhet të rrëzohet për shkak të Serbisë. Ramush Haradinaj duhet të rrëzohet për shkak të keqqeverisjes”, ka shtuar ai.

Në lidhje me Dialogun me Serbinë, shefi i deputetëve të VV-së, Glauk Konjufca shprehet se Rezoluta e votuar në Kuvend është vetëm mashtrim.

Sipas tij, një ditë pas votimit të saj, Federica Mogherini falënderoi delegacionin shtetëror, e po ashtu konfirmoi se ata janë vetëm ekip mbështetës, duke thënë se Dialogu shumë mirë ka ecur me presidentin Thaçi dhe do të vazhdojë me të.

Ai e cilëson se me votimin e kësaj Rezolute, Hashim Thaçit vetëm i është dhënë legjitimitet. Për këtë arsye, Konjufca thotë se e me apo pa dashje, populli do t’i mbajë përgjegjës për atë që do të nënshkruhet në fund.

Zgjidhja ideale, sipas tij, do të ishte nëse Kuvendi voton një aktvendim ku i dërgohet Brukselit se gjithçka çka ka negociuar Hashim Thaçi duhet të kthehet në zero.

Ai po ashtu vlerësoi se me vetëdije apo pa, ky delegacion po i bëhet bisht presidentit Hashim Thaçi për ndarje të Kosovës. Sipas tij, kjo shihet te mënyra “se si Thaçi po i mban peng me dokumente që nuk po ua dorëzon”, gjë që tregon se “është shumë i vendosur për të vazhduar rolin e tij dhe delegacionin ta marrë si bisht herë pas here, kur ka kohë, në Bruksel”.