Lajme

Konflikti për kokainën në lokalet e Qipros: Porositësi shqiptar?

By FerizajPress

June 27, 2016

Dalin dyshime të reja në lidhje me vrasjen e trefishtë të ndodhur në Qipro. Autoritetet vendase kanë të dhëna se dy ekzekutorët Jani Vogli dhe Aleks Burreli janë porositur nga një biznesmen i njohur po me origjinë Shqiptare që jeton në Qipro. Krimi merr përmasa të mëdha pasi veç 51-vjeçarit Panos Kalopsidiotis, u ekzekutua edhe çifti i policëve.

Vrasja e biznesmenit të njohur qipriot me përfshirjen e dy shqiptarëve si skzekutorë, vijon të mbetet e mbuluar me shumë mister.

Tre ditë pas kësaj ngjarjeje të rëndë, ku 51-vjeçari Panos Kalopsidiotis, u ekzekutua me 12 plumba kallashnikovi bashkë me çiftin e policëve Elias dhe Skevi Haxhieftimiou, prokuroria qipriote dyshon se edhe urdhrin për vrasjen e trefishtë mund ta ketë dhënë një biznesmen shqiptar.

Atentatori kryesor i kësaj ngjarjeje Aleks Burreli, është personi më i kërkuar në Qipro, ndërsa bashkëpunëtori i tij, shqiptari tjetër Jani Vogli, mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit.

Të dy këta persona kanë dalë nga Shqipëria më datë 8 qershor të këtij viti, me destinacion Turqinë.

Më pas ata kanë hyrë në Greqi dhe prej aty u vendosën në Qipro, për të kryer atentatin me armë ndaj biznesmenit Kalopsidiotis.

Një person ky me të shkuar të dyshimtë, pasi në vitin 2012 i shpëtoi një atentati të ngjashëm dhe iu vranë pesë truproja.

Para dy vitesh babai i 51-vjeçarait u ekzekutua në të njëjtën mënyrë, ndërsa një vëlla pak vite më parë u nda nga jeta pasi u qëllua disa herë me armë.

Edhe pse ishte thjesht çështje “kohe” me gjithë këto atentate, përsëri vrasja e 51-vjeçarit të njohur në Qipro si një nga pronarët më të mëdhenj të lokaleve të natës dhe të lojërave të fatit, ka marrë përmasa të rënda, pasi bashkë me të u ekzekutua edhe çifti i policëve.

Menjëherë pas vrasjes së trefishtë, mbetet e dyshimtë si humbi jetën atentatori Jani Vogli, pasi nga ekzpertiza e kryer, rezulton se asnjë nga policët që u vranë, nuk ka mundur të qëllojë.

Mendohet se Vogli mund të jetë vrarë gabimisht nga Aleks Burreli.

Ky ishte version i parë, por dëshmitarë në vendin e ngjarjes shprehen se një nga atentatorët që mbante një armë kallashnikov në duar është futur në një automjet që e prisnin dy persona dhe më pas u larguan me shpejtësi.

Pas identifikimit të Voglit dhe Burrelit, policia qipriote kërkoi ndihmën e autoriteteve shqiptare për më shumë të dhëna rreth dy personave të dyshuar si vrasës me pagesë.

Jani Vogli, 41 vjeç, figuron si person që ka lindur në Elbasan dhe prej disa vitesh ka qenë emigrant në Greqi, ndërsa Aleks Burreli lindur në Suç të Matit dhe banues në qytetin e Ballshit ka qenë edhe ai emigrant dhe i dënuar në Greqi për trafik të lëndëve narkotike.

Dyshohet se shkak i masakrës së 23 Qershorit 2016 dyshohet se janë bërë përplasjet e dhunshme për menaxhimin e lokaleve të natës dhe furnizimin e tyre me kokainë.

Në këtë mes mendohet se është përfshirë edhe klani i shqiptarëve që kishin probleme me 51-vjeçarin.

Madje në një letër dërguar presidentit të vendit 51-vjeçari kërkonte me ngulm që autoritete qipriote të nxitonin në përshpejtimin e hetimeve për të gjetuar atentatorët e babait të tij.

Madje në letër ai përmend si të dyshuar edhe emrin e një biznesmeni me origjinë shqiptare, por që prej vitesh jeton dhe punon në Qipro.

Ende nuk ka të dhëna të shumta për këtë ngjarje, pasi një nga personat i cili mund të hidhte dritë mbetet atentatori Aleks Burreli.

Arrestimi i tij më pas mund të sillte të tjera prova, pasi do të mësohej më shumë kush ishin porositësit e këtij atentati.

Në të njëjtën kohë mediat vendase shprehen se nuk është aspak çudi që porositësit e këtij atentati mund të ekzekutojnë edhe personin që shkrehu armët mbi biznesmenin dhe dy policët, në mënyrë që të humbin çdo gjurmë.

Ndërsa burime të tjera shprehen se Burreli ka pasur kohë që të arratiset dhe mund të synojë fshehjen në Shqipëri dhe për këtë arsye është kërkuar ndihma e strukturave të vendit tonë.