Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se mbledhjet në mes dy qeverive shqiptare nuk po mbahen për t’i provokuar të tjerët. Këto komente Rama i bëri pas pyetjeve të gazetarëve nëse një mbledhje e tillë do të mbahet vitin tjetër në Mitrovicën Veriore. Haradinaj e Rama kanë thënë se mbledhja e radhës do të mbahet në Pejë.
“Sa i përket mbledhjes së radhës, e kemi vendosë që do të mbahet në Pejë. Dua ta nënvizojë që mbledhjet e dy qeverive nuk janë provokim për të tjerët. Për rrugëtimin e Kosovës, detyra jonë është që ta forcojmë rendin dhe ligjin”, ka thënë Rama, raporton Express.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka theksuar se do të thellohet bashkëpunimi në mes Qeverisë që ai drejton dhe Qeverisë së Kosovës.
“Ne jemi shumë të vendosur për ta fuqizuar më tej veprimin e përbashkët juridik në marrëdhëniet tona biletarale si dy shtete shqiptare, qoftë në qasjen tonë rajonale apo në rrugën tonë të përbashkët drejtë integrimit tonë në mekanizmat ndërkombëtarë”, tha Rama.
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, në konferencën e përbashkët me Ramën, njoftoi se me Qeverinë shqiptare tashmë kanë finalizuar 12 marrëveshje. Haradinaj tha se të dy qeveritë janë në përmbyllje edhe të një protokolli për kalimin e kufirit.
“Unë dhe kolegët e mi sot jemi të gëzuar që kjo mbledhje sot mbahet në Korçë. Jam i gëzuar që ne sot i përmbyllëm 12 marrëveshje Shqipëri-Kosovë. Jemi në punë për të përmbyllur edhe një protokoll për kalimin e kufirit. Bazuar në këto që thash Kosovën e presin shumë sfida. Ne rrugëtimin tonë më tutje e shohim të lidhur ngushtë me republikën e Shqipërisë”, njoftoi Haradinaj.
Duke iu drejtuar gazetarëve pas takimit të dy qeverive, Rama u shpreh se edhe pse Kosova e Shqipëria janë dy shtete të ndara, shqipatërat gjithmnonë do të jenë të pandashëm.
“Pavarësisht se ne jemi të ndarë në dy shtete, bota shqiptare është një dhe jemi të pandashëm”, tha krseministri shqiptar./Express/