Ferizaj

Komuna pritet t’i kompensojë me nga 1 mijë euro bizneset e dëmtuara nga shpërthimi në Ferizaj

By FerizajPress

January 09, 2021

Shpërthimi në Ferizaj që lëndoi mbi 40 persona, nuk dihet ende se sa dëme materiale shkaktoi.

Përveç në lokalin ku shpërtheu bombola e gazit, dëme të konsiderueshme u shkaktuan edhe në bizneset përreth. Njëra prej shitoreve të afërme vazhdon të jetë e mbyllur që nga e marta, kur ndodhi shpërthimi. Flakët dogjën shumicën e mallit që gjendej në depon e këtij dyqani, që gjendet ngjitur me lokalin ku ndodhi shpërthimit. Ndërsa fuqia e shpërthimit dëmtoi edhe një pjesë të infrastrukturës së objektit, raporton Koha.

Drejtori i këtij biznesi, Mehdi Shala, thotë se ende nuk e dinë nëse kompania që siguron qendrën tregtare ku gjendet dyqani do t’ua mbulojë shumën e dëmit.

“Sa u përket dëmeve materiale, ato janë të konsiderueshme. Dëme direkte në mall, pastaj në objekt dhe tash jemi në fazën e konsolidimit dhe analizimit se sa janë dëmet konkrete. Pasi të bëhet analizimi i dëmeve të shikojmë mundësitë e ndihmave në kuptimin e taksave të ndryshme që ne i kemi si kompani. Keni parasysh situatën e vitit 2020, nuk ka qenë shumë e dobishme për bizneset. Në atë drejtim çdo mundësi që kanë autoritetet për të ndihmuar do të kishte qenë shumë e mirëseardhur”, është shprehur Shala, i cili ka treguar se katër prej të lënduarve janë punonjës të tij.

Pothuajse tërësisht është shkatërruar edhe një barnatore, e cila gjendet fare pranë vendit të shpërthimit.

Në anën tjetër, institucionet akoma nuk kanë përfunduar vlerësimin e shumës së dëmeve, derisa Komuna e Ferizajt thotë se kjo nuk është kompetencë e saj.

Zëdhënësi i Komunës, Albion Sherifi, thekson se kanë mundësi t’u ndihmojnë bizneseve vetëm me nga një mijë euro.

“Komuna e Ferizajt do të përpiqet që të ndihmojë bizneset, qoftë biznesin që është i atakuar nga ky shpërthim, por edhe bizneset e tjera me mundësitë e saj buxhetore. Ka një rregull të subvencionimit në raste të tilla që është shuma afërsisht një mijë euro, për të cilat mund të merret vendimi nga kryetari i Komunës për t’iu dalë në ndihmë këtyre bizneseve”, ka deklaruar Sherifi.

Katër prej gjashtë të lënduarve me gjendje të rëndë pas këtij shpërthimi janë duke u trajtuar në Turqi, kurse gjatë së shtunës dy të tjerët janë dërguar për të vazhduar shërimin në Austri. Hetimet për mënyrën se si ndodhi shpërthimi akoma nuk kanë përfunduar.