Ferizaj.25.01.2018. Në përpjekje për të bërë zgjidhje në fushën e urbanizmit dhe mjedisit në qytetin e Ferizajt, këto ditë pushteti i ri ka themeluar një “Këshill profesional të Ferizajt për Urbanizëm dhe Mjedis”. Drejtori Lulzim Aliu, tha se ky këshill përbëhet nga njohës të fushave të ndryshme siç janë inxhinier, arkitekt, gjeodet e të tjerë, të cilët në këtë proces do të angazhohen pa asnjë cent. Ai paralajmëroi se puna e tyre do të fillojë shumë shpejt, pasi që sipas tij, gjendja kaotike kërkon emergjencë. “Ajo që presim është që këta profesionistë do t’ia japin formën e Ferizajt në të ardhmen. Angazhimi kryesor i tyre është në dokumentet siç është Plani Zhvillimor Komunal, hartat zonale dhe disa disa plane rregullative. Ne jemi zotuar se urbanizmin në këtë qytet do ta rregullojnë njerëz profesionistë të këtyre fushave, prandaj besoj që hap është premtues. Takimet do të zhvillohen këtu në zyrën time, pra në komunë, ditët e para do të zhvillojmë më shumë mbledhje, pastaj këshillat e tyre do të merren nëpër faza kur edhe bëhet zbatimi i planeve në terren. Normalisht që politika do të vendos, por normalisht me sugjerimet e tyre. Komunës nuk është që i mungojnë zyrtarët e këtyre fushave, por dinamika e punëve do të jetë e madhe sa që pushtetit i duhen edhe këshillat e njerëzve nga jashtë “,ka thënë tha Aliu, për Televizionin Tema. E, derisa komuna tashmë ka themeluar ketë grup ekspertësh, në mbledhjen e radhës të Kuvendit Komunal, drejtoria e Urbanizmit ka propozuar që të bëhen ndryshimet e para në Planin Zhvillimor Komunal, që pushteti i kaluar e pati miratuar në mbledhjet e fundit të asaj legjislature. “Pengesa kryesore në këtë rrafsh është që shumë prona të komunës ish-pushteti i ka destinuar për qëllime te caktuara dhe ns bazë të vërejtjeve që na jep Ministria e Mjedisit ato ne nuk mundemi t’i ridestinojmë dhe sot kemi telashe si për varreza, si për shkolla, çerdhe dhe shumë investime të tjera që parashihen, prandaj neve na duhet patjetër që përmes Kuvendit t’i bëjmë këto ndryshime të planit. Synimi nuk është që ta bëjmë ndryshimin e krejt Planit Zhvillimor, ne për momentin nuk do të merremi për shembull me ndërtimet e larta e të ulëta, sepse për këtë çështje do të ndërhyhet përmes hartave zonale”, tha Aliu. Drejtues të pushtetit lokal, paralajmëruan se të gjitha këtyre ndryshimeve do t’i paraprijnë edhe tubimet publike, që sipas drejtorit të Urbanizmit, do të synohet që në këto tubime të marrin pjesë më shumë njohës të këtyre fushave sesa qytetarë të interesuar veç për interesa të ngushta,tranmseton Televizioni tema.