Lajme

Komuna e Vitisë me 90 të punësuar me kontratë mbi vepër

By FerizajPress

July 11, 2018

Gjatë vitit 2017, në komunën e Vitisë kanë qenë të angazhuar gjithsej 90 punonjës përmes marrëveshjeve për shërbime të veçanta. Ndonëse sipas ligjit për shërbimin civil, për emërime të tilla, zbatohet një procedurë e thjeshtësuar e rekrutimit, sipas auditorit, komuna e Vitisë kishte aplikuar këto procedura vetëm për dy prej të angazhuarve, ndërsa jo edhe për pjesën tjetër. “Pozitat për të cilat janë bërë këto marrëveshje, kanë të bëjnë kryesisht me pozita të rregullta dhe jo për ofrimin e shërbimeve të veçanta, siç përcaktohet në marrëveshje”, thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit. Sipas këtij raporti, rreziku i anashkalimit të procedurave të rekrutimit me rastin e lidhjes së kontratave për shërbime të veçanta, mund të rezultojë me angazhimin e personave jo të duhur për kryerjen e shërbimeve të kërkuara. “Kjo gjithashtu, nuk siguron trajtim të barabartë për të gjithë konkurrentët potencial”, theksohet në raport. Zyra Kombëtare e Auditorit ka gjetur në komunën e Vitisë edhe mangësi në procesin e ndarjes dhe monitorimit të subvencioneve. Komuna kishte ndarë subvencione në vlerë 15 mijë euro për KF Vllaznia dhe 10 mijë euro për KF Vitia, por këta të fundit nuk kishin ofruar raportet financiare dhe narrative, për të arsyetuar shpenzimin e mjeteve. Sipas auditorit, komuna e Vitisë nuk kishte bërë marrëveshje ku do të përcaktoheshin të drejtat dhe detyrimet mes komunës dhe përfituesit të subvencionit, me ç’rast përfituesit do të kishin përgjegjësi për raportim. “Në anën tjetër, drejtoria për kulturë, rini dhe sport ka kërkuar vazhdimisht raportimin e tyre, por përfituesit nuk u janë përgjigjur këtyre thirrjeve”, vazhdon raporti. Duke u bazuar në rregulloren komunale për ndarje të subvencioneve, përfituesit e subvencioneve të ndara nga Komuna, obligohen që të dorëzojnë raport financiar dhe narrativ. Po ashtu, këtyre subvencioneve duhet t’iu paraprijë një marrëveshje, ku përcaktohen të drejtat dhe përgjegjësitë e secilës palë. “Mungesa e raporteve për shpenzimin e mjeteve si pasojë e mos përgjegjshmërisë së përfituesve, mund të rezultoj me devijime nga qëllimet e përfitimit të tyre dhe vlerë të ulët për paranë e paguar”, thuhet në raportin e auditimit. Auditori ka theksuar që mangësitë në aplikimin e marrëveshjeve mes palëve, mund të ndikojnë që palët përfituese të mos jenë të përgjegjshme në realizimin e objektivave dhe raportimin e duhur për mjetet e shpenzuara. Një problem tjetër i hasur në komunën e Vitisë nga Zyra Kombëtare e Auditimit është edhe nënshkrimi i kontratave me vlerë më të lartë se ajo e parashikuar. Auditori ka gjetur që në katër projekte, kontratat ishin nënshkruar në vlerë më të lartë se vlera e parashikuar e tyre në Deklaratën e Nevojave dhe Disponueshmërisë së Mjeteve dhe në dosjen e tenderit. Te projekti, “Ndërtimi i fushave sportive të futbollit dhe volejbollit”, vlera e parashikuar ishte 40 mijë euro, ndërsa kontratat e shpërblyera për dy lote ishin në vlerë 121,175 euro, te projekti “Ndërtimi i stacionit të autobusëve në Viti” vlera e parashikuar ishte 20 mijë euro ndërsa kontrata në vlerë 39,519 euro. Po ashtu te projekti “Rregullimi i rrugës Dëshmoret e Kombit në Viti”, vlera e parashikuar ishte 123,151 euro (bashkëfinancim mes MAPL 100 mijë euro dhe komuna 23,151 euro) ndërsa kontrata është nënshkruar në vlerë 152,218  euro dhe te projekti “Asfaltimi i rrugës Germovë – Goshicë”, vlera e parashikuar e kontratës ishte 150 mijë euro (financuar nga MI) ndërsa kontrata ishte nënshkruar në vlerë 289,455 euro. “Nënshkrimi i kontratave në vlerë më të lartë se ajo e parashikuar, rrezikon mos realizimin e tyre si pasojë e mungesës së mjeteve dhe njëkohësisht mund të rrezikoj realizimin e projekteve tjera për shkak të mundësisë së ekzekutimit të pagesave përmes vendimeve gjyqësore apo përmbaruesve”, vazhdon raporti i auditimit. Një tjetër gjetje e ZKA-së në komunën e Vitisë është edhe menaxhimi jo i mirë i llogarive të arkëtueshme. Sipas raportit komuna nuk kishte prezantuar në pasqyrat financiare vjetore, llogaritë e arkëtueshme nga drejtoria për shërbime publike, në vlerë 15,261 euro. Këto kishin të bënin me shfrytëzimin e hapësirës publike (qiraja). Kjo kishte ndodhur si pasojë e mos komunikimit të mjaftueshëm për sigurimin e të dhënave mes zyrës së financave dhe drejtorisë për shërbimet publike. Komuna nuk kishte ndërmarrë masa aktive për inkasimin e llogarive të arkëtueshme, duke bërë që ato të mos shënojnë rënie nga viti i kaluar. “Kjo për shkak të mungesës së vendosjes së mekanizmave nga komuna për rritjen e arkëtimit të tyre”, thuhet në raport. Nga Auditori si rrezik shihet mungesa e informatave të plota rreth llogarive të arkëtueshme, e cila rezulton me menaxhim jo efektiv të tyre dhe pamundëson ndërmarrjen e masave adekuate për inkasimin e tyre. “Mungesa e masave konkrete për inkasimin e LL/A, ndikon në mos realizimin e shpenzimeve të planifikuara nga të hyrat. Njëkohësisht, mos prezantimi i saktë i shpalosjeve shpie në një keq pohim të pozitës financiare, ku në të ardhmen mund të ndikojë opinionin e auditimit”, përfundon raporti. Mungesa e lejeve të ndërtimit, mbikëqyrjes inspektive dhe lejes se përdorimit, janë një tjetër gjetje e Auditorit. Sipas ligjit të ndërtimit, me rastin e kontratave ndërtimore kërkohet pajisja me dokumentacionin përkatës siç është leja ndërtimore, mbikëqyrja inspektive si dhe leja e përdorimit. Komuna e Vitisë në 12 kontrata, nuk kishte aplikuar lejet ndërtimore dhe mbikëqyrjen inspektive, ndërsa në tri projekte për të cilat ishte bërë pranimi teknik, nuk ishte lëshuar certifikata/leja e përdorimit. “Për më tepër, raporti i pranimit teknik ishte shumë i mangët në informacione, duke mos përmbajtur elementet thelbësore të kontratës. Inicimi i projekteve në mungesë të kompletimit të dokumentacionit sipas kërkesave të ligjit për ndërtim, mund të ndikojë në cilësinë dhe ngecjen në realizimin e këtyre projekteve”, thuhet në raport.