Ferizaj

Komuna e Ferizajt vlerësohet lartë nga USAID-i për performancën e vitit 2021 në menaxhimin e financave publike dhe transparencë, prokurim publik dhe auditim

By FerizajPress

November 25, 2021

Se transparenca është një nga veçoritë dalluese të qeverisjes lokale të Ferizajt, flasin raporte të ndryshme të performancës dhe matje të realizuara si nga organizata të shoqërisë civile, ashtu edhe nga institucione qendrore e partnerë ndërkombëtar. I tillë është edhe Raporti Final i Gradimit Komunal të Ferizajt përfshirë rezultatet për Janar-Shtator 2021, dokument që u prezantua nga zyrtarë të USAID-it para Kryetarit të Ferizajt, Agim Aliu, nënkryetarit, drejtorëve dhe zyrtarëve të caktuar komunal.

Nga ky raport, del qartë se Komuna e Ferizajt ka shënuar progres pozitiv, në performancën e treguar në fushat: menaxhim i financave publike dhe transparencë, prokurim publik si dhe auditim.

“Që nga kryerja e vlerësimit fillestar në vitin 2019, Komuna e Ferizajt është përmirësuar me 73%. Duke shënuar 46 pikë në vlerësimin fillestar, komuna u përmirësua në 59 pikë në vitin 2020, dhe më pas në 64 pikë në vlerësimin e kryer në shtator 2021.Ky raport bazohet në rezultatet e Mjetit për Matjen e Gatishmërisë për Gradim që përfshinë matje sasiore dhe cilësore të arritjeve. Mjeti e ndihmon projektin për të matur performancën e komunave duke i përdorur 12 tregues që mbulon tri fushat kryesore: prokurimin publik, auditimin, menaxhimin e financave publike dhe transparencën” thuhet në këtë raport.

Aktiviteti i USAID-it për komuna transparente, efektive dhe llogaridhënëse (USAID TEAM) në Kosovë është projekt pesë-vjeçar kundër korrupsionit i financuar nga USAID-i, që ka filluar më 11 janar 2017 dhe është planifikuar të përfundojë në janar të vitit 2022. Projekti mbështet përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për ta rritur efektivitetin e prokurimit dhe transparencën në nivelin lokal duke ofruar ndihmë gjithëpërfshirëse për të gjitha 38 komunat e Kosovës, me trajnim dhe mentorim më intensiv për një grup të përzgjedhur të fokus komunave.