Ferizaj

Komuna e Ferizajt prinë me shpenzimet më të vogla të derivateve dhe me shumën më të madhe për subvencione për studentë

By FerizajPress

September 09, 2016

Në raportin  nga Zyra  Kombëtare e Auditimit  për Performancën financiare dhe Shërbime të ofruar gjatë vitit 2015  del se Komuna e Ferizajt është ajo e cila ka harxhuar gjatë këtij viti më së paku derivate për makina zyrtare.

Nga ky raport doli se Komuna e Ferizajt ka  harxhuar dukshëm më pak se komunat tjera  (6,6 euro/100 Km) e që i bie  dy herë më pak se disa komuna tjera të cilat harxhuan deri në 15 euro/100 Km (Komuna e Pejës)

Për këtë  zëdhënësi i komunës së Ferizajt, Naim Ferati tha se kjo është si rezultat i një menaxhimi të mirë të  punëve në komunë.

“Menaxhimi i mirë i përgjegjësve dhe evidentimi i çdo  shfrytëzimi i automjeteve të komunës si dhe evidentimi i kilometrave të kaluara  gjatë çdo vozitje ka bërë që edhe shpenzimet  e lëndëve djegëse janë zvogëluar në maksimum. Makinat shfrytëzohen vetëm atëherë kur është më se e nevojshme. Kjo ka bërë që edhe të ruhet  buxheti i komunës dhe të mos krijohen shpenzime të panevojshme dhe të pa arsyeshme” tha  Ferati

Por në këtë raport del se kjo komunë është duke i kushtuar rëndësi edhe arsimit dhe ndihmës së studentëve që për këtë qëllim vitin e kaluar ka ndarë një shumë të madhe të mjeteve.

“Vitin e kaluar, siç mund ta shihni edhe në raportin e auditorit, komuna e Ferizajt ka ndarë më së shumti  mjete për subvencionimin e studentëve. Për këtë vit (2015) Komuna e Ferizajt ka ndarë një shumë prej 50 mijë euro  që të ndihmoi studentët e ku prioritet kanë pasur studentët e mirë dhe drejtimet deficitare” ka thënë Ferati.