Ferizaj

Komuna e Ferizajt pjesë e Kartës së Gjelbër

By FerizajPress

May 31, 2022

Gjatë ditës së sotme Nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Lulzim Aliu, bashkë më Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bërë nënshkrimin e Kartës për Komunën e gjelbër dhe të qëndrueshme.

Përmes kësaj nisme Qeveria  e Republikës së Kosovës, synon që përmes bashkërendimit të projekteve dhe intervenimeve në nivel lokal dhe qendror, të përshpejtojë realizimin e Marrëveshjes së Gjelbër për Kosovën dhe të avancojë drejt përmbushjes së Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Zbatimi i Agjendës së Gjelbër kërkon bashkërendim dhe harmonizim të qëllimeve dhe politikave në të gjitha nivelet e qeverisjes.

Poashtu, Komunat kanë mundësi të jashtëzakonshme dhe kompetenca të plota dhe ekskluzive të përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve duke integruar çështjet ekonomike, sociale dhe mjedisore në të gjitha proceset e zhvillimit urban.

Procesi i transformimit në Komunë të gjelbër dhe të qëndrueshme është proces i gjatë dhe sfidues por i domosdoshëm. Marrëveshja për zbatimin e Agjendës së Gjelbër është një sfidë kolektive për të cilën duhet punë dhe angazhim i përbashkët duke filluar nga qeveria, ministritë, komunat, shoqëria civile, mediat dhe qytetarët.