Ferizaj

Komuna e Ferizajt me plan për shlyerjen e borxheve

By FerizajPress

February 23, 2018

Ferizaj.23.02.2018. Gjendja e vështirë financiare e komunës që ka ardhur si rezultat i borxheve që ish qeverisja e kaluar i ka lënë qeverisjes aktuale e ka detyruar këtë të fundit drejt krijimit të një strategjie e cila përveç shlyerjes së borxheve mundëson edhe eliminimin e kamatave që mund të vijnë nga përmbaruesit.

Agim Aliu gjatë një bisede me TV Liria ka thënë se gjendja është e vështirë por po punohet që të tejkalohet. Ndërsa ka shtuar se kjo do te arrihet me një komunikim dhe një riprogramim të vazhdueshëm me bizneset.

Tashme dihet se komuna e Ferizajt ka paguar deri me tani përmes përmbaruesve më shumë se 2 milion euro ndërsa shumën tjetër prej 2.5 milionë euro po mendon që ta shlyej përmes shkurtimeve buxhetore tek projektet kapitale dhe kështu të u ikë kamatave të larta të përmbaruesve.

“Gjendja qe ne e kemi gjetur është jashtë çdo parashikimi dhe duke para këtë gjendje ne kemi sqaruar qytetaret dhe dëshirojmë ta bëjmë transparente këtë para qytetareve se si është gjendja, jo për të vajtuar po për të konstatuar se kjo është gjendja. Njëkohësisht ju kam siguruar edhe me parë, i siguroj edhe sot qytetaret e komunës se Ferizajt që unë do të kujdesem që gjithçka që ka qenë pjesë e zotimit tim, pjesë e shpalosjes së programit, dhe tashmë e platformës qeverisëse do të realizohet. Tashmë kam marrë masat e duhura në kuadër të buxhetit të Qeverisë së Republikës së Kosovës që të behët kjo e mundshme. Por situata aktuale në buxhetin komunal që është një buxhet i keqplanifikuar me obligime dhe borxhe të shumta që na kanë detyruar të marrim masa të shumta, ne jemi detyruar që të marrim disa masa” ka thënë Aliu.

“Masa e parë është që ne deshifrojmë të kursejmë paranë publike në komunën tonë me një komunikim me partnerët tanë, të cilët janë bizneset. Kjo masë përfshinë 8 % të kamatave që marrin përmbaruesit. Pasi që 8 % është shumë e madhe ne u dakorduam me bizneset që ata të mos dërgojnë lëndët e tyre tek përmbaruesit por të planifikojmë për shlyerjet e borxheve së bashku me komunën.” ka thënë Aliu.

“Ne vetëm këta muaj  planifikojmë të shlyejmë borxhet deri në 4 milion pa përfshirë faturat për shërbime e mallra dhe shërbime tjera. Kuvendi i komunës së Ferizajt ka miratuar buxhetin për investime kapitale. Duke e dituar që është miratuar ky buxhet ne do të bëjmë shkurtime buxhetore sepse duhet të mbulojmë pjesën e borxheve të projekteve të përfunduara në vitin 2017. Unë i ftoj edhe njëherë operatoret sepse është edhe lehtësim i procedurave dhe kursim i parasë qytetare se ata e kanë derën e hapur të komunës dhe ne në kuadër të këtij riprogramimi  do t’i shlyejmë këto borxhe.” ka thënë Aliu për Televizionin Liria.

Për më tepër  mund të shikoni videon në vazhdim: