Ferizaj

Komuna e Ferizajt mbështet financiarisht aktivitetin e “Down Syndrome Kosova” në Ferizaj

By FerizajPress

April 04, 2018

Paraditen e sotme, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu ka pritur në një takim drejtuesit e shoqatës “Down Syndrome Kosova”, me ç ‘rast është nënshkruar edhe marrëveshja e bashkëpunimit dhe financimit në mes Komunës së Ferizajt dhe shoqatës “Down Syndrome Kosova”.

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu me këtë rast është shprehur “Qeverisja lokale është e përkushtuar të ndihmoj të gjitha grupet shoqërore, që kujdesi institucional dhe ofrimi i shërbimeve të specializuara për këto grupe të rritet. Ne sot, kemi nënshkruar marrëveshje me këtë shoqatë që të ndihmojmë këtë grup shoqëror për aktivitetin e tyre në Ferizaj. Zotimi im ka qenë rritja e kujdesit social dhe institucional për këto grupe dhe ne në vazhdimësi do të forcojmë këtë bashkëpunim. Komuna e Ferizajt varësisht nga mundësitë buxhetore do të mbështesë secilën iniciativë që shkon në dobi të grupeve të ndryshme shoqërore. Në rastin konkret për personat me sindromën Down. Aktiviteti i tyre në Ferizaj tashmë ka mbështetje institucionale” theksoi kryetari Agim Aliu.

Në anën tjetër, drejtoresha ekzekutive e shoqatës “Down Syndrome Kosova” Sebahate Beqiri dhe drejtues të tjerë të kësaj shoqate, dega në Ferizaj falënderuan Kryetarin e Komunës, Agim Aliu për mbështetjen e aktivitetit të tyre në Ferizaj, duke u shprehur të gatshëm të ndihmojnë qeverisjen lokale me rekomandimet tyre profesionale dhe iniciativa të përbashkëta për personat me sindromën Down.

Me këtë Marrëveshje Bashkëpunimi, Komuna e Ferizajt përkrah projektin „Mbështetja e aktiviteteve dhe shërbimeve për personat me Sindromën Down në Komunën e Ferizajt“, projekt ky 1 vjeçar i shoqatës.

Kjo marrëveshje është arritur duke marrë parasysh situatën e qendrës së Shoqatës Down Syndrome Kosova në Ferizaj me ç ‘rast planifikohet edhe zgjerimi i hapësirës të kësaj qendre për të mundësuar hapjen e programit X 21, program unik në Komunën e Ferizajt.