Ferizaj

Komuna e Ferizajt krijon platformë të veçantë digjitale për bizneset artizanale

By FerizajPress

October 09, 2023

Komuna e Ferizajt, përkatësisht Drejtoria për Zhvillim Ekonomik dhe Turizëm ka nisur hartimin e një platforme të re digjitale me qëllim që bizneset artizanale të regjistrohen në databazë dhe të informohen me kohë për panaire të ndryshme dhe për subvencione të ndryshme.

Kjo komunë ka planifikuar që këto biznese artizanale dhe individët e caktuar që merren me punime të ndryshme dore të regjistrohen në platformën e komunës për të marrë pjesë në panairin e madh që pritet të mbahet më 20 tetor në sheshin e qytetit.

Në komunë kanë thënë se në këtë panair bizneset artizanale do të përkrahen në forma të ndryshme derisa një gjë të tillë janë duke e shqyrtuar.

Drejtori për Zhvillim Ekonomik dhe Turizëm, Balton Dërguti, ka thënë për KOHEN se bizneset artizanale mund të jenë përfitues të mëdha nga komuna siç kanë përfituar edhe shumë biznese të ndryshme.

“Ne kemi hulumtuar dhe kemi identifikuar se aktualisht i kemi rreth 30 biznese artizanale të cilat merren me punime dore dhe punime të ndryshme si veshje kombëtare, çiftelia, simbole kombëtare dhe shumë e shumë punime të ndryshme. Prandaj kemi edhe biznese të tilla që ende nuk janë regjistruar, prandaj një gjë të tillë mund ta bëjnë kur të dëshirojnë dhe pastaj komuna do të kujdeset për t’i përkrahur ato. Pra, më 19 dhe 20 tetor të këtij viti do ta organizojmë një panair të tillë për këto biznese artizanale dhe komuna do t’i përkrahë ato”, ka thënë Dërguti.

Ai ka kërkuar nga secili individ që merret me punime dore të regjistrohet në platformën digjitale në databazë të komunës dhe pastaj do të kontaktohen nga zyrtarët përgjegjës të komunës për mundësitë e krijuar.

Ndërkohë zyra për informim në këtë komunë ka njoftuar se tashmë kjo platformë është e hapur 24 orë në ditë me qëllim që bizneset artizanale të regjistrohen dhe të marrin njoftime të ndryshme për aktivitetet e komunës në interes të bizneseve.

“Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit është duke kryer një hulumtim për bizneset artizanale në Ferizaj, për të krijuar një databazë, katalog dhe harte digjitale me këto biznese. Nëse jeni në dijeni për ndonjë biznes artizanal në Ferizaj, ju lutem plotësoni të dhënat në platformë në mënyrë që t’a vizitojmë ose kontakotjmë këtë biznes dhe t’a përfshimë në databazë tonë”, thuhet në njoftimin e komunës