Ferizaj.28.12.2017. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), në bashkëpunim edhe me komunën e Ferizajt, në kuadër të aktiviteteve “Ditët e Biznesit të Vogël 2017”, organizoi sot konferencën informuese për Zhvillimin e Sektorit Privat. Në konferencë morën pjesë përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale: MTI-së, Komunës së Ferizajt, ATK-së, Doganës së Kosovës, KEDS-it, AZHR-së, si dhe përfaqësues të shumtë të bizneseve të këtij rajoni.
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, në hapjen e kësaj konference para bizneseve ferizajase, është shprehur se së bashku me Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe Komunën e Ferizajt do të jetë pjesë e agjendës së punës, angazhimit dhe mbi të gjitha sukseset e bizneseve. Ai është shprehur mirënjohës edhe ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës që i ka kushtuar vëmendje të madhe qyteti të ndërrmarrësisë, apo siç e quajti kryetari Aliu, kryeqytetin e ndërrmarrësisë dhe zhvillimit ekonomik.
“Ky epitet tashmë i takon qytetit të Ferizajt, për faktin se e ka marr pikërisht si rezultat i punës, angazhimit, vullnetit dhe koncistencës në të bërit biznes, pikërisht të shtrirjen dhe angazhimit tuaj. Unë si kryetar i komunës jam gjithmonë falënderues për punën dhe angazhimin që keni bërë si komunitet i biznesit të Ferizajt, që keni bërë të mundur që Ferizajt sot të jetë epiqendra e zhvillimit ekonomik të Republikës së Kosovës, që buxheti i tij- arka e tij, të mbushet me mbi 300 milionë euro, që janë rezultat i kontributit tuaj, rezultat i punës suaj. Ne do të sillemi të përgjegjshëm, dhe të detyruar që ne qeverisjen tonë, platformën tonë, programin tonë, t’a ndërtojmë që edhe më shumë t’i japim pikërisht rëndësi promovimit dhe mbështetjeje punës suaj”, është shprehur kryetari Aliu.
Ai tutje është shprehur se me platformën e tij, do të mbështesë të gjitha bizneset ferizajase. “Tashmë programi im është platforme qeverisëse dhe platforma ime qeverisëse, do të jetë platformë mbështetëse për bizneset, sepse nuk mund të jetë ndryshe në qytetin e Ferizajt, nëse një kryetar komunë nuk ka platformë të qartë për zhvillimin ekonomik, ai nuk mund të jetë kryetar i komunës së Ferizajt, sepse thamë edhe me herët Ferizaj, është mbështetës i zhvillimit ekonomik, kryeqytet i të bërit biznes dhe të krijimit të kushteve edhe më të favorshme për të bërë biznes”, ka thënë kryetari Aliu.
E nga ana tjetër ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, prezantoi para të pranishmëve planet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për mundësitë e zhvillimit të sektorit privat, si dhe mundësitë e dialogimit të drejtpërdrejtë dhe paraqitja e sfidave dhe kërkesave të bizneseve para përfaqësuesve të institucioneve qendrore dhe lokale, me këtë rast edhe të zhvillimit dhe përkrahjes së bizneseve të kësaj komune. Në fjalimin e tij, para afaristëve ferizajas, ministri Hasani potencoi rolin e institucionit, respektivisht të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, të cilin ai e drejton për të mbështetur dhe promovuar sektorin privat, në mënyrë që të krijohen mundësi të hapjes së vendeve të reja pune.
Kurse, Besian Mustafa nga Agjencia për Promovimin dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve-KIESA prezantoi mundësitë e përkrahjes dhe të promovimit të bizneseve përmes ofrimit të shërbimeve nga KIESA për zhvillim e sektorit privat në Kosovë. Të pranishmëve me fjalë rasti i janë drejtuar edhe Fikret Ibrahimi nga Administrata tatimore e Kosovës, lidhur me politikat fiskale si dhe Valbona Tahiri, drejtoreshe e AZHR-Lindje. Pas kësaj pjesë bizneset me pyetje të shumta i janë drejtuar udhëheqësve lidhur me barrierat dhe problemet më të cilat përballen ata.