Lajme

Kompensimin e dëmeve të luftës, s’ka kush t’ia kërkojë Serbisë

By FerizajPress

September 25, 2016

Është për t’u habitur se si pas tërë kësaj kohe nga shkatërrimet, bombardimet dhe djegiet e shtetit serb me Milosheviqin në krye, politikanët kosovarë nuk denjuan të kërkojnë dëmshpërblimet nga shteti serb, edhe përkundër faktit se janë vazhdimisht në bisedime me Beogradin.

Deputeti nga radhët e koalicionit në pushtet, nga LDK-ja, Adem Salihaj, thotë se, për fatin e keq të Kosovës, lidershipi i saj në bisedimet me Serbinë është i fokusuar vetëm në dhënien e koncesioneve të shumta Serbisë dhe serbëve të Kosovës, por jo edhe në mbrojtjen e interesave të Kosovës.

Së këndejmi, sipas tij, udhëheqësit e Kosovës as nuk kanë arritur ndonjë sukses në mbrojtjen e interesave të Kosovës, madje as nuk e kanë shtruar me seriozitet ndonjë çështje.

“Çështja e kompensimit të dëmeve të luftës është komplekse dhe duhet të përgatitemi seriozisht për këtë. Problemi i tashëm është në faktin se qeveritë e Kosovës, të cilat kanë qenë njëra pas tjetrës, as nuk e kanë bërë një evidencë të mirëfilltë e të faktuar mirë të dëmeve të shumta në njerëz dhe prona. Ndërsa, të gjitha bisedimet e deritashme kanë pasur në fokus realizimin e interesave të Serbisë në Kosovë dhe jo interesat e Kosovës”, është shprehur Salihaj.

Ndërkaq, profesori i së drejtës, Riza Smaka, thotë se gjithsesi faji është yni në këtë aspekt dhe kurdoherë fajin, siç tha, duhet kërkuar fillimisht tek vetvetja e më pastaj tek tjetri.

Ai më tej ka rikujtuar se në vitin 2008, në kohën kur ishte deputet, këtë çështje e kishte ngritur në Kuvendin e Kosovës, duke ia adresuar qeverisë asokohe, duke pyetur se përse Qeveria nuk e merr këtë akt, i cili si i tillë është edhe juridik, politik, etik, pastaj i arsyeshëm, i nevojshëm e mbi të gjitha i domosdoshëm.

“Tek ne, populli ynë është dëmtuar në pikëpamje, si morale ashtu edhe materiale, dhe në mënyrën më drastike, ndërsa Qeveria jonë, për shkak të neglizhencës, mungesës së përgjegjësisë shtetërore, nuk e ka marrë asnjëherë seriozisht këtë çështje. Andaj, faji u takon të gjitha qeverive, përfshirë edhe këtë aktualen, që është përgjegjëse, e cila nuk e realizon këtë akt të nevojshëm, shumë të domosdoshëm, pasi ishte dashur ta kapitalizonte në maksimum edhe në sferën politike. Kjo pasi përderisa pala serbe për një kishë që është dëmtuar për synime politike hegjemoniste e ngrit çështjen deri në nivelin e OKB-së, ndërsa këta tanët thjesht sikurse të ishin shurdhmemecë dhe janë tepër inferior, inert e anemik, pasi nuk kanë kapacitet për të vepruar ashtu si do duhej të vepronte ta zëmë ‘burri i shtetit’”, ka theksuar profesori Riza Smaka. /Kosova Sot