Ferizaj

Kompensimi i orëve të humbura, SBASHK-u do t’i drejtohet Gjykatës së Apelit

By FerizajPress

May 15, 2019

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Republikës së Kosovës (SBASHK) ka bërë me dije se nuk është e kënaqur me vendimin e Gjykatës Themelore për kompensimin e orëve të humbura dhe për këtë aktgjykim do t’i drejtohet Gjykatës së Apelit.

Përmes një komunikate për medie SBASHK-u ka vlerësuar se aktgjykimi i gjykatës Themelore në Prishtinë nuk është i bazuar në argumente por në emocione momentale.

SBASHK-u është me arsye i pakënaqur me Aktgjykimin A.nr.552/19 lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për çështje  administrative dhe prandaj do t’i drejtohet me ankesë Gjykatës së Apelit të Kosovës me kërkesën që të anulohet ky Aktgjykim sepse konsiderojmë se, veç tjerash, Gjykata Themelore në Prishtinë  për të sjellë Aktgjykimin  e saj në dobi të vendimit të pabazuar në ligj të MASHT-it lidhur me kompensimin e orëve të humbura në grevën e Janarit, nuk është bazuar në argumente, por në emocione momentale e madje fitohet përshtypja se edhe ka qenë e ndikuar politikisht nga deklaratë e  disa prej institucioneve, debateve të një pjese të deputetëve në seancën e jashtëzakonshme të  Parlamentit dhe nga individë të ashtuquajtur Këshillë të Prindërve”, është thënë në komunikatën e SBASHK-ut.