Komandati i Përgjithshëm i KFOR-it, Lorenzo D’Addario i ndau Kryetarit të Ferizajt, Agim Aliu mirënjohje dhe dhuratë për suksesin në operacionin simulues “Shpata e Argjendtë”
Angazhimi i dhjetëra zyrtarëve komunal, drejtuesve e pjesëtarëve ushtarak vendor e ndërkombëtar, Policisë së Kosovës, Forcës së Sigurisë së Kosovës, staf i emergjencave civile, zjarrfikësit, ndërmarrjeve publike, Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave, Këshillit të Sigurisë së Kosovës dhe vet të parit të Ferizajt, Agim Aliu me drejtorët komunal javë më parë në operacionin e simuluar për vërshime të titulluar “Shpata e Argjendtë” organizuar nga KFOR-i si masë përgatitore dhe rritje e aftësive në menaxhimin lokal të fatkeqësive natyrore, u vlerësua nga po këta të fundit me nota pozitive dhe dhuratë/mirënjohje për këtë bashkëpunim.
Për të marr vlerësimin dhe analizën e plotë të sektorëve komunal lidhur me organizimin, koordinimin dhe reagimin e autoriteteve lokale të Ferizajt në këto situata, mori pjesë Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu bashkë me zyrtarë komunal, i cili u prit ngrohtësisht nga ushtarakët më të lartë në zinxhirin komandues të KFOR-it në Kosovë.
Komandati i Përgjithshëm i KFOR-it, Lorenzo D’Addario dhe zv. Komandanti i Përgjithshëm i KFOR-it, Rainhard Ruckenstuhl bashkë me dhjetëra ushtarakë tjerë të nacionaliteteve të ndryshme ishin nikoqirët e këtij takimi në bazën ushtarake “Film City” në Prishtinë.
Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu duke falënderuar drejtuesit më të lartë të KFOR-it, njësive shumëkombëshe të KFOR-it si dhe Komandës së KFOR-it amerikan që monitoruan drejtpërdrejt këtë operacion, pranoi dhuratën nga Komandati i Përgjithshëm i KFOR-it, Lorenzo D’Addario duke u shprehur se operacioni i simuluar javë më parë ishte një përvojë e veçantë e qeverisjes lokale në koordinimin dhe reagimin në raste emergjente, përvoja që do të shërbejnë për të avancuar sistemin reagues lokal. Ferizaj ishte qyteti që ishte përzgjedhur nga KFOR-i për ta realizuar këtë operacion, vlerësim ky i veçantë për Komunën e Ferizajt.