Vendimin e fundit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë që humbjet e energjisë elektrike në rrjetin e KEDS-it, t`u faturohen konsumatorëve, KMLDNJ e konsideron joligjor, të turpshëm dhe të papranueshëm.
“ZRRE-ja në mënyrë të vetëdijshme po punon kundër interesit të konsumatorëve të Kosovës. Qytetarët duhet të paguajnë vetëm për rrymën e shpenzuar nga ta, ndërkaq, çdo gjë që është mbi ato shpenzime, qytetarët nuk duhet ta paguajnë në asnjë mënyrë, por të kundërshtojnë, protestojnë dhe ta padisin ZRRE-në, sepse ky vendim është në interesin e një kompanie, siç është KEDS” ka thënë Behxhet Shala kryetar I KMLDNJ-së.
Kryetari i shoqatës ‘Konsumatori’, Selatin Kaçaniku, tha se mbulimi i vjedhjeve në rrjetin e KEDS-it, nuk ka asnjë kuptim, sepse qytetari nuk ka asnjë fije përgjegjësie për to.
“Kjo më nuk tolerohet, kjo më nuk mund të ‘durohet’ dhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë përfundimisht duhet të çlirohet nga tutela politike… Po na detyrojnë që ne të rebelohemi dhe mos ta paguajmë asnjë faturë” ka thënë Selatin Kaçaniku, kryetar i shoqatës “Konsumatori”.
Kundër vendimit të ZRRE-së ka reaguar edhe Konsorciumi Kosovar për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID). Sipas këtij konsorciumi ZRRE ka shkelur mandatin për të mbrojtur interesin publik dhe duke përdorur me arbitraritet pushtetin e vet, ka vendosur t’ia faturojë humbjet e një kompanie private, të gjithë qytetarëve të Kosovës.
“Ky institucion është vënë plotësisht në mbrojtje të një operatori privat që përfiton miliona në kurriz të konsumatorëve të një shërbimi bazë të jetës. KOSID kërkon anulimin e menjëhershëm të këtij vendimi dhe depolitizimin e menjëhershëm të Bordit të ZRRE-së”, thuhet në reagim.
Zyrtarë të KEDS-it thonë se humbjet e energjisë elektrike, qofshin ato teknike dhe vjedhje, viteve të fundit janë faturuar ndaj konsumatorëve të përgjegjshëm të KEDS-it, dhe do të vazhdojnë të faturohen edhe më tej, sepse sipas tyre, kjo është normale dhe ndodh në çdo vend të botës.
“Këto humbje sigurisht që tarifohen, mirëpo për detaje tjera mund t’iu drejtoheni Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, mirëpo dihet se në aspektin ekonomik secila humbje faturohet, në secilin sistem energjetik të botës faturohen, është proces normal” tha Viktor Buzhala zëdhënës I KEDS-it
Ndërsa, zyrtarë të ZRRE-së pohojnë se bëhet fjalë për miliona euro për mbulimin e shpenzimeve. Në vendimin e fundit të bordit të ZRRE, thuhet se sa i përket nivelit të lejuar të humbjeve për OST, bordi ka vendosur që të jetë i njëjtë me atë që është aktualisht në vlerë prej 1.78%. Ndërsa, sa u përket tarifave dhe faturave të ardhshme të energjisë elektrike kanë thënë se nuk mund të pohojnë asgjë, sepse ende nuk janë përfunduar analizat për të Hyrat e Lejuara Maksimale.