Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut theksoi se mbetja në rrugë e nxënësve të paregjistruar është shkelje e të drejtave të njeriut.
KMDLNj-së i janë drejtuar prindër dhe nxënës që nuk arritën të regjistrohen në afatin e paraparë kurse tani kanë mbetur pa u regjistruar
“Në sqarimin e kërkuar nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Prishtinë ishte një përgjigje se sipas legjislacionit në fuqi shkollimi i mesëm dhe i lartë nuk është obligativ dhe se nxënësit që nuk janë regjistruar në shkollat e dëshiruara mund të regjistrohen në shkollat profesionale, ku ka ende vende të lira por kjo nuk nënkupton se të gjithë nxënësit do të regjistrohen. Gjithashtu, DKA në Prishtinë i ka thënë KMDLNj – së se 14 mësimdhënës kanë mbetur jashtë listës së pagave shkaku se Ministria e Financave nuk ka ndarë mjete për ta e që ndikon në efikasitetin dhe rritjen e mundësive për të pranuar nxënës të rinj”, thuhet në njoftim.
Përkundër faktit se shkollimi i mesëm nuk është obligim ligjor, nga aspekti i të drejtave të njeriut lënia e kësaj kategorie të moshës shumë të ndjeshme rrugëve dhe pa mundësi të vazhdimit të shkollimit paraqet shkelje të drejtave të njeriut e rregulluar me dokumentet ndërkombëtare.
KMDLNj thekson se imponimi i shkollimit dhe shkollës e pamundëson zhvillim e plotë të personalitetit., kurse pamundësia e vazhdimit të shkollimit i rritë dukuritë negative deri në shtim të kriminalitetit në mesin e të rinjve aq më parë që ka të bëjnë me kohën e adoleshencës kur është në formim personaliteti i fëmijës.
“KMDLNj nuk pajtohet që nxënësit me sukses të shkëlqyeshëm dhe shembullorë të detyrohen të shkojnë në shkolla profesionale prandaj kërkon që Drejtoria Komunale e Arsimit, së bashku me Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë dhe në përkrahje të Ministrisë për Financa të bëjë zgjidhje për regjistrim e të gjithë nxënësve kurse për ata me sukses të shkëlqyeshëm dhe shembullorë dhe të cilët nuk janë regjistruar në shkollën e dëshiruar, t’u jpet mundësia për të zgjedhur mundësinë e dytë, pa iu imponuar shkolla profesionale si e vetmja mundësi. Ekziston mundësia që çdo shkollë të hapë një paralele shtesë në mënyrë që të regjistrohen të gjithë nxënësit e paregjistruar”, thekson KDMDLNj.
KMDLNj përkrah kërkesat e drejta të prindërve dhe nxënësve që kanë mbetur pa u regjistruar dhe kërkon që për ta të bëhet një zgjidhje e shpejtë në mënyrë që të mos e humbasin vitin.
Këtë kërkesë të prindërve dhe nxënësve, KMDLNj do ta paraqesë edhe në takimet me autoritetet përkatëse sikur që do të kërkojë nga Ministria e Financave të ndajë mjete shtesë për DKA në Prishtinë ku edhe është numri më i madh i të paregjistruarve dhe ku është i theksuar ky fenomen për faktin se në disa shkolla të preferuara për shumë nxënës, është numër jo i vogël nga ata nxënës të qyteteve tjera të Kosovës.