Ferizaj

Klubi “Rotary” për vitin akademik 2016-2017, do të dhurojë, 31 bursa studentore

By FerizajPress

September 22, 2016

Klubi “Rotary”, ka ndarë 31 bursa për studentë me gjendje të rëndë ekonomike.

Në këtë takim, përfaqësuesit e këtij klubi, Xhemal Ferati ,Nuhi Çerkini  njëherit student i dalluar i komunës dhe Besa Sadiku, së bashku me disa anëtarë tjerë të klubit , theksuan se klubi është duke vazhduar të ofrojë shërbime në të gjitha sferat e jetës, duke përfshirë dhe financimin e edukimit të mëtutjeshëm për studentët e rinj dhe shumë aktivitetet të ndryshme.

Në takimin e organizuar nga ky klub përveç që u konfirmua dhënia e 31 bursave të reja për vitin e ardhshëm, u ndanë mirënjohje edhe për bursëdhënësit e vitit të kaluar.

Kryetari i klubit “Rotary” Xhemajl Ferati, tha se  ky klub është duke vazhduar të ofrojë shërbime në të gjitha fushat e jetës, përfshirë këtu edhe subvencionimin e shkollimit të mëtutjeshëm për studentët e rinj.

 “Fushat kryesore ku “Rotary” ofron shërbimet e veta janë të shumta, thuajse në të gjitha spektret e jetës shoqërore. Rotarianët e Kosovës promovojnë vlera të rotarisë dhe janë duke ofruar shërbimet e tyre në programe të cilat merren me shëndetësi, arsim, ambient, programe në studime të studentëve dhe dhënie të bursave, atë që jemi duke e bërë edhe sot”,tha Ferati.

Iniciatori dhe bursë-dhënësi ferizajas, gazetari Rexhep Rifati, tha se do vazhdoj të dhuroj bursa për student dhe pas vdekjes së tij, ku ka lërë një trashëgimi për disa vite e cila do t’u dedikohet vetëm për studentët me nevoja të veçanta dhe aspirate për vazhdimësinë e shkollimit.

 “Dua të bëj publike se kjo sasi e bursave do të jepet edhe pas 10 viteve të vdekjes sime pasi që kam siguruar një trashëgimi që kam lënë pas vetës. Unë u dëshiroj suksese studentëve pasi që dhe vet jam rritur jetim dhe vet kam qenë fitues i bursave”,tha Rifati.

E këtyre bursave më së shumti vlerën ua di Gazmend Vranovci, i cili vite më parë ishte përfitues i një burse të tillë e cila ia mundësoi që t’i përfundoj studimet dhe sot të jetë një arkitekt i suksesshëm.

‘’Sot jam në pozitën më të lehtë sepse jam në pozitën e bursëdhënësit, mirëpo nëse kthehemi 22 vite më herët unë kam qenë në një pozitë shumë të vështirë, kam qenë në një dilemë se a të vazhdoj studimet apo jo dhe këtë sfidë ma ka zgjedhur fondi i bursave, shpresoj që të mos ketë raste të tilla sot por nëse ka prapë shpresoj se fondi i bursave do të jetë ai që do t’i zgjidhë këto probleme”,tha Vranovci.

Studentja Albiona Beqiri, e cila është njëra ndër përfitueset e bursës së dhuruar nga “Rotary”, u shpreh falënderuese ndaj këtij klubi duke thënë se falë kësaj burse  po i mundësohet t’i vazhdojë studimet.

 “Ju faleminderit për këtë bursë që më keni dhënë, që na keni dhënë këtë përkrahje, në fillim kur kam aplikuar kam qenë pesimiste se do ta fitoj, por  nuk ndodhi ashtu dhe sot jam fituese e kësaj burse”,tha Beqiri.

 

Klubi Rotary dhe Rotaract në Kosovë funksionon që nga viti 2006. Dhe brenda tërë Kosovës dhuron afër 150 bursa.