Ferizaj.24.09.2017. Dy dhoma mësimi në shkollën “Imri Halili” të Burrnikut të Ferizajt prej disa vjetësh kanë mbetur boshe. Në njërën prej tyre çdo ditë zë vend Albion Veliu (9), nxënës i klasës së katërt.
Askush nuk e prish qetësinë, ngase në klasë janë vetëm ai dhe mësuesi Milaim Hasani.
Objekti i shkollës i plotëson kushtet teknike dhe higjienike. Ai është riparuar më 2006-n me një investim 40 mijë eurosh, shkruan sot “Koha Ditore”.
Shokë as për lojë
Por shkolla është e zbrazët, teksa Albioni ndihet i vetmuar. Ai prej më shumë se një viti nuk e ka takuar ndonjë bashkëmoshatar.
“Sa herë që e mbajmë orën e edukatës fizike ndihem i shqetësuar dhe më i vetmuari në Komunën e Ferizajt, sepse nuk e kam asnjë shok të ma pasojë topin apo anasjelltas, madje edhe pas orarit të mësimit nuk e kam asnjë shok për të luajtur së bashku. Të jetosh i vetmuar në një fshat malor siç është Burrniku, është sikur të jetosh në skajin e botës”, ka thënë Albioni, me të cilin gazeta ka biseduar pasi që ka marrë pëlqimin nga babai i tij Shaipi.
Albioni ka dëshirë që klasat e tjera të mund t`i vijojë me moshatarët e vet, ndonëse nuk është i sigurt nëse kjo do të mund të bëhet realitet.