Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç gjatë një konference të përbashkët për mediet me Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, theksoi se Kroacia do të mbështesë Shqipërinë në rrugëtimin e saj evropian. “Duke njohur influencën që Shqipëria ka në vendet e Evropës Juglindore, ne do të krijojmë marrëdhënie strategjike nëpërmjet dy vendeve tona, dhe Kroacia do të mbështesë Shqipërinë në procesin e integrimit, ku besoj se do të mbyllet shumë shpejt. Shqipëria ka një mbështetje teknike dhe politike të fuqishme nga Kroacia në rrugën e saj drejtë BE-së dhe dëshirojmë që t’ju përgëzojmë për vendimin e Këshillit dhe në këtë drejtim ne jemi gati që të vazhdojmë jo vetëm mbështetjen politike, por çdo gjë që ju keni nevojë në rrugën tuaj drejt anëtarësimit në BE”, theksoi Kitaroviç. Gjatë fjalës së saj sot në ambientet e Presidencës, Presidentja Kitaroviç u ndal te bashkëpunimi ekonomik mes dy shteteve, raporton ATSH. Dua të përmend përmirësimin e marrëdhënieve tona ekonomike dhe tregtare, si dhe gjithashtu lidhjet e transportit dhe infrastrukturës. Kur flasim për bashkëpunimin në ekonomi, mendoj që kjo mund të përmirësohet më tepër gjatë shkëmbimeve tregtare, sidomos gjatë vitit 2017, ku u rrit me 20%, siç ka qenë më përpara. “Gjithashtu ka shumë kompani kroate të cilat kanë aplikuar për të marrë eksperiencë në Shqipëri. Për bashkëpunimin ekonomik mund të bëjmë shumë edhe në sektorin e energjisë. Duke ngritur, përveç hidrocentraleve edhe centrale, duke përdorur energjinë e rinovueshme, duke përmirësuar shërbimin e shpërndarjes të linjave të gazsjellësit, gjithashtu edhe ndërtimin e faciliteteve hidroenergjetike, në porte, në infrastrukturën hekurudhore”, theksoi Kitaroviç.